E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi i GJND-së për pavarësinë e Kosovës, më 22 korrik

Mendimin e tyre për vlefshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës e shprehën 29 delegacione të vendeve të ndryshme të botës

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) e Hagës mendimin e saj për vlefshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës do ta japë në një seancë publike, që do të zhvillohet më 22 korrik të këtij viti (2010), njofton një komunikatë shtypi e kësaj gjykate e publikuar dje në Hagë. Mendimin në fjalë do ta shpallë kryetari i GJND-së, Hisashi Ovada, ndërkohë që seanca e lartpërmendur do të transmetohet e gjitha drejtpërdrejt nëpërmjet uebsajtit të GJND-së ( HYPERLINK "http://www.icj-cij.org" www.icj-cij.org), duke filluar në orën 15.00 lokale, në të dyja gjuhët zyrtare të kësaj gjykate: anglisht dhe frëngjisht. çështja e vlefshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008, është sjellë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë së Hagës me kërkesë të Serbisë, si dhe pas një vendimi përkatës të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në tetor të vitit 2008. Diskutimet për çështjen në fjalë kanë filluar më 1 dhjetor të vitit të kaluar (2009), ndërkohë që, gjatë nëntë ditëve, mendimin e tyre për vlefshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës e shprehën 29 delegacione të vendeve të ndryshme të botës. Në favor të vlefshmërisë së pavarësisë së Kosovës, krahas përfaqësuesve të lartë të vetë Kosovës, u shprehën: SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Holanda, Austria, Norvegjia, Danimarka, Finlanda, Bullgaria, Kroacia, Shqipëria, Jordania dhe Arabia Saudite. Kurse kundër saj, krahas Serbisë, u shprehën: Kina, Rusia, Spanja, Rumania, Qipro, Argjentina, Brazili, Vietnami, Bolivia, Venezuela, Azerbajxhani dhe Bjellorusia.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›