E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkrimi i Der Spiegel reagon Athina Nuk do braktisim euron

Ka mjaftuar një lajm në revistën gjermane “Der Spiegel” që Greqia do të rikthehej në përdorimin e dhrahmisë në vend të euros, që monedha e përbashkët europiane, të binte me një përqind kundrejt dollarit. Analistët thonë se lëkundje të tilla flasin për një pasiguri të madhe në eurozonë.

Zyrtarët grekë dhe gjermanë e mohuan me forcë lajmin e revistës, por deri në mbrëmje, euro vlente 1.44 dollarë. Greqia e denoncoi lajmin e botuar në “Der Spiegel” si një akt provokativ që i ndihmon vetëm interesave të spekulatorëve.
Sidoqoftë, konfirmohet se ministrat e pesë vendeve të eurozonës u takuan në Luxemburg për të të diskutuar situatën financiare të Portugalisë, Irlandës dhe Greqisë.

“Përveç daljes së mundshme të Greqisë nga bashkimi monetar, një ristrukturim i shpejtë i borxhit të saj do të jetë në rendin e ditës së këtij takimi”, njoftoi “Der Spiegel”. Mirëpo, zyrtarët e BE-së mohuan në mënyrë kategorike ristrukturimin e borxhit grek.

Edhe pas mohimit të lajmit, ai ka pasur ndikim në tregjet financiare. Por analistët thonë se largimi i Greqisë nga eurozona nuk është kaq i thjeshtë.

Greqia u bë vend i 12 në përdorim të euros si monedhë të brendshme në vitin 2002. Gjatë një dekade, qeveria mori borxhe të mëdha për të përballuar shpenzimet publike, situatë që i doli jashtë kontrollit dhe degjeneroi deri në rrezikun e falimentimit të shtetit dhe ndërhyrjen e BE-së në vitin 2010.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›