Shkrimi i Lubonjës në Panorama, reagon Berisha

Berisha inspekton punimet ne HEC-in e Ashtës
TIRANE- Kryeministri Sali Berisha reagoi sot mbi një shkrim të publicistit, Fatos Lubonja publikuar pak ditë më parë në gazetën Panorama, me titull “Hidrocentralizimi i Shqipërisë.” Berisha i cilësoi qëndrimet e Lubonjës të bazuara në keqdashje dhe zili, të cilat mundohen të zhvlerësojnë punën e madhe që është bërë dhe vazhdon të bëhet në interesin më të mirë të vendit.
Një nga eksponentët më kryesorë të opozitës shkruante Hidrocentralizmi i Berishës. Mirë që nuk shkruante Hidroberishizmi dhe fatkeq në rastin që kishte marrë, ai sillte si shembull Ashtën , e cila është një kryevepër e mbrojtjes së mjedisit,. Ndaj dhe i them këtij zotërie të Hidroberishizmit se të gjitha dosjet i ke në dispozicion, merrini dhe shqyrtojini. Por pa informacion bie direkt në antiglobalizëm dhe të biesh në antiglobalizëm për llogari të Edi Ramës, nuk ka fatkeqësi më të madhe.-u shpreh Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë.
Në shkrimin e tij të ditës së hënë, Lubonja trajtonte çështjen e hidrocentraleve, ku sillte në vëmendje shembulline hidrocentralit të ngritur në plazhin e Bunecit.

Hidrocentrali në plazhin e Bunecit
Shikoni foton që po i bashkëngjis këtij shkrimi. E kam bërë në një nga gjiret më të bukur të Jugut tonë, atë të Bunecit, para ndonjë viti. Kur e pashë për herë të parë, nuk po isha në gjendje të kuptoja se çfarë qe ajo si digë e madhe që kishte betonizuar e çimentizuar një pjesë të madhe të atij plazhi. Ishte pamje krejtësisht absurde, sepse nuk dukej as si ndërtim pallati. Pastaj u informova dhe më thanë se ai ishte një hidrocentral. Po po, një hidrocentral! Shikojeni me vëmendje foton. Në mes të digës duket edhe kanali nëpërmjet të cilit derdhen ujërat e hidrocentralit direkt në det.- shkruan Lubonja.
E pra, sado i lajthitur të jetë Doktori, vazhdon më tej Lubonja, nuk mund të mos e shohë se kjo është një katastrofë për ambientin, për turizmin, për peizazhin, për të mos thënë një çmenduri e vërtetë.
Lubonja thotë se me projektin e hidrocentralizimit po ndodh e njëjta gjë ashtu si me industrinë e ndërtimit të banesave, apo ashtu si me ndërtimin e karburanteve absurde që kanë zaptuar territore, jo për shkak të nevojave, por për shkak të përfitimit të atypëratyshëm të individëve të papërgjegjshëm dhe të babëzitur.
Sipas kryeministrit, Berisha nga 2007-ta në Shqipëri janë ndërtuar ose rindërtuar rreth 72 HEC-e.