Ushqime për romët në Shkozë dhe Babrru
Paketa me ndihma ushqimore për familjet rome në Babrru dhe Shkozë. Pakot ushqimore për 50 familjet rome që jetojnë në Shkozë, si dhe familjet e instaluara në kampin e emergjencës në zonën e Babrrusë, janë në vazhdim të ndihmave që po ofrohen kohët e fundit nga donatorët në bashkëpunim me organizmat shtetërore, bëri me dije Ministria e Punës. Prej një muaji, në bashkëpunim me donatorët është ngritur një kamp për strehimin e familjeve të dëbuara nga Stacioni i Trenit, në Tiranë. Të 25 çadrat e ngritura në kamp janë plotësuar me shtretër, dyshekë dhe shtroje. Po kështu kampi është pajisur edhe me tualete portative. Gjatë kësaj periudhe, familjet e strehuara në kamp janë asistuar me veshmbathje e paketa ushqimore, si dhe janë pajisur me sete enësh kuzhine. Ndërkohë, institucionet janë duke punuar për zgjidhjen përfundimtare të strehimit të këtyre familjeve, sqaron Ministria e Punës.