Mario David: Shqipëria meriton marrjen e statusit kandidat
Eurodeputeti në një intervistë për Abc News shprehet në favor të vendit tonë si përgjigje e përpjekjeve serioze
Një tjetër personalitet i partive popullore europiane, Mario David i shtohet zërave në favor të dhënies së statusit kandidat për Shqipërinë në përgjigje të përpjekjeve serioze që ka bërë vendi këtë vit. Në një intervistë ekskluzive nga Brukseli për Abc News, eurodeputeti thekson se vendi ynë ka bërë përpjekje të mëdha të cilat duhet të kompensohen.
Pas hapave që janë bërë nga Shqipëria këtë vit, a mendoni, se BE-ja duhet të konsiderojë pozitivisht kandidaturën e tij në tetor?
Shqipëria ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme. Ne e dimë, që ka ende përpjekje për t’u bërë në aspektin demokratik, social dhe ekonomik, pasi jo të gjitha partitë kanë patur vullnetin për të luajtur rolin e tyre demokratik. Kjo është shumë e rëndësishme, pasi pa një bashkëpunim të tillë, nuk mund të përmbushet kriteri i Kopenhagës, pa të cilin një vend nuk mund të çelë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin. Shpresoj që të gjitha partitë dhe i drejtohem këtu veçanërisht partive të opozitës, që të kuptojnë se ato janë përgjegjëse për faktin, që Shqipëria nuk e ka përmbushur ende kriterin politik për të çelur negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian. Unë e vë veten në pozicionin e një shqiptari. Ju vini nga një vend që është ende jashtë Bashkimit Europian. Për arsye historike, Shqipëria mund të kërkojë që të bëhet anëtare e Bashkimit Europian vetëm në 2012 dhe ajo pret të njëjtin solidaritet nga BE-ja me të cilin Bashkimi Europian ju përgjigj vendit tim, Portugalisë kur bëmë revolucionin demokratik në 1974. Nuk është një çështje e lodhjes së zgjerimit apo kapacitetit të absorbimit. Ne jemi një kontinent i vetëm dhe duhet të jemi solidarë me vendet që për arsye historike mund të kërkojnë të bëhen pjesë e familjes europiane vetëm tani.
Komisioni Europian konsideron se ka reultate të dukshme, por kërkohen ende përpjekje dhe sinjale domethënëse nga klasa politike siç është çështja e imuniteteve. A mendoni se pavarësisht nga këto, duke parë ç’është arritur, Komisioni duhet të japë një rekomandim pozitiv për Shqipërinë këtë vit ?
Mendoj se po. Ne sigurisht presim që qeveria dhe opozita të vazhdojnë realizimin e reformave për kriteret e përcaktuara nga Komisioni Europian , pasi këto janë detyrat e shtëpisë që duhen kryer para se të çelen negociatat e anëtarësimit. Po ju takon shqiptarëve që të bëni zgjedhjen tuaj. Ne si Bashkim Europian duhet gjithashtu të jemi gati. As ne nuk jemi gati dhe jemi gjithashtu për tu fajësuar për këtë. Por Shqipëria ka bërë përpjekje shumë të mëdha dhe këto përpjekje duhet të kompensohen.