“Shkrova “Otellon” nën nxitjen e obamomanisë”
Alma Mile
Diku na paraqitet si përbindësh, diku si një gjysmë kafshë e gjysmë njeri. Atëherë ai nuk guxoi ta thoshte, edhe pse pati nga ata lexues që e kuptuan nëntekstin. Pasi libri ka muaj që ka shkuar tek lexuesi dhe i dhuroi autorit edhe çmimin si “shkrimtari më i mirë i vitit” në panairin e Librit “Tirana 2009”, Ben Blushi pranon se për librin “Otello, arapi i Vlorës” është frymëzuar nga “obamomania”. Otelloja i Blushit nuk ka fatin e Presidentit amerikan. Por ai është ndryshe edhe nga ai i Shekspirit. Ai pëson një fund tragjik për shkak se është i ndryshëm, sepse është një njeri me ngjyrë që nuk arrin ta mposhtë disavantazhin që i krijon ajo e nuk mund të integrohet.
Z. Blushi, çdo të thotë të shpallesh shkrimtari më i mirë i vitit?
Ky çmim është një kënaqësi, një motiv për të vazhduar të shkruarin, sepse në fund të fundit kupton që ajo që bën ka diçka që vlerësohet. Dhe sigurisht është një mundësi për të komunikuar me njerëz, me lexues, të cilët gjithashtu joshen nga çmimet. Kur merr një çmim do të thotë se je më i mirë se para se të shkruaje, apo të bëje diçka.
Cila është ndjesia që ju krijohet kur firmosni autografë?
Jam mësuar me këtë gjë prej dy vjetësh. Me dy librat e parë kam pasur një sukses që më ka kënaqur dhe jam mësuar tashmë me një komunikim intensiv me lexuesin herë pas here dhe për shkak se në shumë rrethe kemi dalë dhe kemi promovuar librat. Në panair është një kënaqësi më e madhe, pasi komunikon me më shumë njerëz, se në çdo qytet të Shqipërisë. Ka pasur një fluks shumë të madh dhe më vjen mirë që njerëzit janë afruar për të marrë një autograf, që ta marrin me vete e ta mbajnë në shtëpi.
Do kishit dashur që këtë çmim ta merrnit me “Të jetosh në ishull”?
Nuk do ishte keq, por edhe “Otello”, libri me të cilin u vlerësova këtë vit, artistikisht më ka dhënë shumë emocione dhe kënaqësi. Ai u vlerësua për anën e vet artistike dhe jo për shkak të debatit që shkaktoi “Ishulli”. Ky është një libër më pak i zhurmshëm dhe nuk ka ngjallur polemikat e librit të parë, por estetikisht besoj është cilësor dhe është një libër që flet edhe me heshtjen e vet.
Përse keni zgjedhur të luani me të shkuarën, apo të huazoni personazhe të njohur dhe nuk preferoni bashkëkohësinë?
Letërsia është një metaforë në vetvete dhe pavarësisht nga konteksti ku vihen ngjarjet, aktualiteti flet edhe përmes historisë dhe unë përpiqem që ngjarje, apo personazhe të ditëve tona, t’i zhvendos në të shkuarën. Njerëzit duke lexuar historinë lexojnë edhe ditët e sotme në disa raste. Besoj se kështu më ka ndodhur si me “Ishullin” e me “Otellon”. Të dy janë të vendosur në kontekstin historik, por me nuanca të forta nga Shqipëria dhe nga ditët tona dhe përderisa gjej një urë mes të shkuarës dhe së tashmes, kjo është njësoj si të jesh në të sotshmen dhe të shikosh nga dritarja të djeshmen, je prapë në të sotmen dhe jeton aty.
Mos ndoshta lexuesi është i familjarizuar me këto personazhe, apo kontekste dhe tërhiqet të mësojë edhe për “variantin” shqiptar?
“Otello” përpiqet të tregojë dy gjëra. Së pari raportin e shoqërisë me racizmin, sepse ai është një njeri me ngjyrë dhe kur e kam shkruar kam pasur parasysh si reagon Shqipëria, ndryshe nga Evropa e sotshme ndaj të ndryshmit, apo njerëzve me ngjyrë. Dhe së dyti, Otello, ndonëse është marrë nga Shekspiri ka një fat të ndryshëm nga ai i Shekspirit. Ai është një njeri me ngjyrë, që për arsye ekonomike është detyruar të emigrojë në këtë pjesë të botës, ku jemi ne dhe nuk arrin të integrohet. Kjo e çon në një fat tragjik, lidhur me një dashuri të pamundur, e cila është e tillë dhe për shkak të lëkurës dhe besoj se ky Otello nuk është shumë ndryshe nga shumë njerëz me ngjyrë, apo që vijnë nga vende të prapambetura, që nuk arrijnë të integrohen, qoftë në Shqipëri, apo në Evropë. Dhe fati i tyre është tragjik, sepse shoqëritë ku ata duan të integrohen nuk ua lejojnë këtë gjë dhe kjo i ndodhi edhe Otellos, që është një personazh ndryshe nga ai i Shekspirit.
Ky roman erdhi për lexuesin në një kohë, kur në SHBA, kishte triumfuar Obama, sa jeni ndikuar ju nga kjo “ëndërr amerikane”?
Mund të them që “Otellon” kam vendosur ta shkruaj në kontekstin e shpërthimit të “obamamanisë” në botë. Gjatë vitit 2008, kur ky libër u shkrua dhe në fillim të 2009-së kur u përfundua, ka qenë i ndikuar nga Obama, si fenomen, që bota kishte qindra vjet që e priste, një fenomen që rrëzoi shumë paragjykime politike dhe shoqërore. Kështu që dhe unë u frymëzova nga kjo obamomani dhe krijova një personazh, Otellon, i cili nuk ka fatin e Obamës, nuk është aq i suksesshëm, por sidoqoftë ka një fat që nuk e ndërton dot vetë, pasi varet nga ngjyra e lëkurës së tij. Në këtë drejtim ai është i pafuqishëm dhe nuk arrin dot të mbizotërojë disavantazhin që i jep lëkura e tij, ndërkohë që Obama e bëri këtë gjë.
Çmimet
-Shkrimtari i vitit
-Ben Blushi me “Otello, arapi i Vlorës”
-Përkthyesi i vitit
-Amik Kasaruho me “Tregimet e Montalbanos”
-Shkrimtari për fëmijë
-Xhevat Syla
-Stenda më e mirë
-Shtëpia botuese “Media Print”