E Diel, 1 Nëntor 2026

Grupi parlamentar i PS vendos: Tre ditë e tre net rresht protestë para Kryeministrisë

 

Fier/ Majlinda Rama

Socialistët vendosën dje në mbledhjen e grupit të deputetëve axhendën e protestës së 20 nëntorit. Pas mitingut të mbrëmshëm në qytetin e Fierit, Rama mblodhi deputetët socialistë dhe vendosi me ta zhvillimin e protestës së kryeqytetit për rreth tre ditë rresht. Gjithashtu gjatë mbledhjes së djeshme me deputetët Rama ka ndarë detyrat për deputetët, të cilët duhet të garantojnë pjesëmarrje sa më të madhe për protestën. Ndërkaq, gjatë mitingut në Fier, kryesocialisti Rama paralajmëroi Kryeministrin Sali Berisha se do të rrëzohet nga pushteti nëse nuk lejon hapjen e kutive të votimit, ku sipas tij fshihet krimi elektoral. “Një njeri që vazhdon të fshehë votën është gjithmonë e më pranë largimit të tij. I themi Berishës, mos rri mbi kutitë e mbyllura të zullumit të 28 qershorit, sepse do të rrëzohesh vetë, njësoj si atëherë kur u zgjodhe president dhe e more gjithë Shqipërinë me vete. Nëse nuk hap kutitë do të largohesh me zgjedhje shumë më të parakohshme”, deklaroi Rama. Fieri ishte ndalesa e fundit e turit të opozitës para protestës së paralajmëruar të 20 nëntorit në Tiranë. Rama shoqërohej nga deputetët e qarkut të Fierit, por dhe nga kryetarë të partive të majta dhe të djathta në opozitë. Kryetari i PS-së i ka bërë thirrje elektoratit që të bashkohet më 20 nëntor në Tiranë, për t’i treguar Berishës se e majta dhe shqiptarët nuk do të tërhiqen nga kërkesa e tyre legjitime. “Jam i bindur se të gjithë ju qytetarë liridashës të Fierit do të vini kështu siç jeni në Tiranë, më 20 nëntor, për t’i treguar Shqipërisë se kjo betejë për të nxjerrë në ditën e Diellit votën e kyçur nga Sali Berisha është një betejë për të nxjerrë Shqipërinë nga rrethi i vendeve me zgjedhje të deformuara. Do të vini kështu siç jeni në Tiranë, për t’i treguar Berishës se ka marrë fund koha e zullumeve nga një familje e vetme në pushtet”, ka pohuar Rama. Me tej, kreu i PS ka hedhur një seri kritikash ndaj institucioneve shtetërore për mos zbardhjen e vrasjes së deputetit socialist të qarkut të Fierit, Fatmir Xhindi. Rama ka theksuar se PS nuk mund ta harrojë njeriun e saj që u ekzekutua në oborrin e shtëpisë së tij. “6 muaj kanë kaluar dhe përveç nxjerrjes në tregun e gazetave të gjithëfarë versionesh, nga më skandalozët, nga vetë njerëzit e shtetit, ne sot nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Dua që në këtë moment Berisha dhe të gjithë ata që ndjekin këtë protestë, të dëgjojnë për një minutë zërin e fortë të heshtjes tuaj, në nderim të Fatmirit dhe në shprehje të së vërtetës së madhe se ne jo vetëm nuk harrojmë, por nëse drejtësia nuk bën drejtësi, ne nuk falim”, ka shtuar Rama. Duke folur për bojkotin që socialistët i bëjnë parlamentit, Rama tha se ky qëndrim i socialistëve nuk pengon integrimin e vendit. “Integrimin nuk e dëmton bojkoti ynë, por e pengojnë arsyet që na shtyjnë ne ta ndërmarrim këtë rrugë të vetme, kur shtrohet një problem i rëndë, si zgjedhjet e deformuara. Ky problem nuk zgjidhet duke e mbuluar me fjali, se këto zgjedhje ishin më të mira nga të tjerat, por nuk ishin aq të mira sa ato që duhet të ishin për t’u quajtur me standarde dhe aq më pak për të hyrë pa kushte në parlamentin e kthyer në sallë të Këshillit Kombëtar të Partisë së Saliut, me vota të numëruara keq e shumë keq, siç thonë miqtë tanë ndërkombëtarë”, u shpreh Rama para protestuesve në Fier. Lideri i opozitës i ka bërë thirrje elektoratit të Fierit që të bashkohet në protestën e madhe të 20 nëntorit në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›