E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizat, Basha-Barrot: Shqipëria ka përmbushur kriteret kryesore

 

Komisioni Evropian konfirmon mbështetjen për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë vitin e ardhshëm. Në forumin ministror mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor të ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë, ku Shqipëria përfaqësohej nga ministri i Brendshëm Lulzim Basha, Zv. Presidenti i Komisionit Evropian dhe Komisioner për Çështjet e Drejtësisë dhe Sigurisë, Jacques Barrot vlerësoi se Shqipëria ka përmbushur kriteret më të rëndësishme për heqjen e vizave dhe ky proces do të finalizohet në vitin 2010. “Dialogu vazhdon dhe unë shpresoj që vitin e ardhshëm ne do të shkojmë drejt heqjes së vizave për shqiptarët. Unë isha në Shqipëri kur dhashë pasaportën e parë biometrike dhe tani shoh që Shqipëria ka bërë përpjekje të mëdha për heqjen e vizave. Rruga që është bërë tregon se heqja e vizave do të arrihet në vitin 2010”, u shpreh Barrot. Mbështetja e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë në vitin 2010 u përfshi edhe në dokumentin final të Forumit Ministror mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor. Gjatë dy ditëve të këtij forumi ministerial, Ministri Basha u takua dhe bisedoi me Zv. Presidentin e Komisionit Evropian Jacques Barrot, me Znj. Beatrise Ask, Ministre e Drejtësisë së Suedisë, vendit kryesues të Bashkimit Evropian dhe Znj. Annemie Turtelboom, ministre e Brendshme e Belgjikës, vendit që do të kryesojë Bashkimin Evropian gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›