E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: PS të gjejë kurajën për të ndalur radikalizmin

 

Aristir Lumezi

Deputeti socialist Arben Malaj, anëtar i kryesisë socialiste shprehet se PS vazhdon të mbetet parti e kryetarit. Sipas tij, pas humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit dhe debateve të zhvilluara lidhur me personalizimin e fushatës, nuk sheh asnjë reflektim nga kryetari socialist Edi Rama, ndërkohë që e cilëson PS parti të kryetarit dhe jo të forumeve. Malaj shprehet se forumet e PS nuk funksionojnë dhe nuk ka asnjë debat dhe diskutim në to rreth qëndrimeve politike. Sipas tij, edhe pse është përfshirë në diskutimin për statutin oponenca kolektive, mentaliteti dhe realiteti në PS mbetet i pandryshuar. Deputeti socialist përsërit qëndrimin e tij kundër bojkotit dhe kërkon që ai të përfundojë shumë shpejt, ndërsa shprehet se zor se gjen ndonjë socialist që mendon se pas protestës së 20 nëntorit, do të ketë zgjedhje të parakohshme. Ai i pret zgjidhjet politike brenda institucioneve dhe parlamentit, ku duhet të nisë debati politik. Një nga ithtarët e mendimit ndryshe në PS dhe oponent i Edi Ramës pas rezultatit humbës të zgjedhjeve të 28 qershorit, Malaj i bën apel lidershipit të Partisë Socialiste që të gjejë kurajën dhe të marrë përgjegjësinë për të ndalur radikalizmin dhe të bëjë efikase opozitën në parlament. anëtari i kryesisë socialiste e sheh me trishtim bojkotin e zgjedhjeve të pjesshme të PS-së dhe shprehet se “bojkoti i parlamentit si qëllim në vetvete dhe bojkotimi i zgjedhjeve qoftë edhe pjesore, janë elementë radikalizmi, dhe për pasojë vonojnë fitoren e çdo force politike”.
Zoti Malaj, bojkoti i parlamentit nga ana e PS-së vazhdon bashkë me protestat, ndërkohë, që faktori ndërkombëtar, nga i cili edhe PS pret një negocim për zgjidhjen e krizës, vazhdon të dënojë tashmë hapur këto qëndrime të Partisë Socialiste. Si e gjykoni këtë situatë?
Bojkoti nuk është mjeti i vetëm politik i një force politike moderne, aq më pak nuk duhet konsideruar rruga e vetme apo qëllim në vetvete. Padyshim që të gjithë ne meritojmë një qeverisje më të mirë, pa dyshim që meritojmë standarde shumë më të mira të zgjedhjeve, por edhe të funksionimit të institucioneve të shtetit ligjor, të standardeve të arsimit dhe shëndetësisë, të luftës kundër korrupsionit, dhe kundër varfërisë. Çdo kërkesë për të arritur këto standarde është legjitime dhe duhet të jetë në rritje jo vetëm nga forcat politike, por edhe nga shoqëria civile dhe opinioni publik. Rezultatet e arritura jashtë institucioneve janë të paqëndrueshme dhe shpesh krijojnë premisat e cikleve të paqëndrueshmërisë politike.
Si do të gjykoni qëndrimin e lidershipit të PS që pas shpalljes së bojkotit, nga bërje transparence të kutive të votimit, pa ndryshuar rezultatin në tavolinë-në revoltë popullore dhe rrëzim të qeverisë përmes protestave. Sa e dëmtojnë PS këto qëndrime lidhur me kredibilitetin e saj dhe sa të mundshme janë zgjedhjet e parakohshme?
Nëse vendi do të dështojë në integrimin e tij dhe në menaxhimin e situatës ekonomike, zgjedhjet e parakohshme mund të ishin opsion i përgjegjësisë për ta nxjerrë vendin nga kriza. Nuk besoj se Partia Socialiste është për marrjen e pushtetit me çdo kusht, çdo strategji për ardhjen në pushtet me çdo kusht, është larg politikës bashkëkohore, ku forcat politike modernizojnë demokracinë dhe ekonominë e vendeve të tyre, konkurrojnë në proceset zgjedhore dhe qeverisin vendet e tyre duke respektuar institucionet dhe ndarjen e pushteteve.
Grupi i deputetëve por dhe anëtarëve të Asamblesë Kombëtare, dhe kongresit, përmes një Apeli, i kërkuan deputetëve socialist të hyjnë në kuvend, për interesa që nuk janë më partiake e që lidhen direkt me premtimet elektorale, madje dhe me premtimet e ditëve të fundit në protesta, për liberalizim të shpejtë të vizave. A keni pasur reagim ju dhe kolegët tuaj ndaj kësaj ftese?
Një numër më i madh njerëzish janë të shqetësuar për mungesën e PS në parlament. Jemi të bindur që ky shqetësim do të jetë në rritje. “Solidariteti” që tregojnë kolegët ndaj qëndrimit bojkotues nuk do të jetë i përhershëm. Në të ardhmen do të ketë më shumë kërkesa edhe nga vetë socialistët për pjesëmarrjen e PS-së në parlament. Nuk besoj se ka socialistë që mezi presin protestën e 20 nëntorit me mendimin se kjo do të sjellë zgjedhjet e parakohshme. Lidershipi i Partisë Socialiste duhet të gjejë kurajën dhe të marrë përgjegjësinë për të ndalur radikalizmin dhe të bëjë efikase opozitën në parlament.
Përse ky qëndrim i ngurtësuar i PS-së, i cili duhet thënë se në legjislacionin e kaluar të kuvendit, për çështje shumë të rëndësishme, siç ishte ndryshimi i kushtetutës në favor të çdo maxhorance qeverisëse ishte më konsensuale se dhe vota që kishte marrë në 2005?
Në këtë radikalizmin të Partisë Socialiste ka ndikimin e saj edhe humbja e përsëritur. Zakonisht të qenit në opozitë për një mandat të përsëritur, është një sfidë jo e lehtë për çdo forcë politike. Pikërisht ky është momenti për të dalluar përgjegjësinë politike me thjesht karrierën personale politike. Këtu duhet të dallohet politika si përgjegjësi publike me politikën si mision individual.
Nëse refuzohet pa limit hyrja në kuvend, cili do të jetë qëndrimi juaj dhe i kolegëve tuaj që keni një mendim ndryshe në PS dhe a ka deputetë të tjerë që sot, jo hapur, mbështesin miratimin e rezolutave dhe qëndrimeve që parlamenti duhet të kalojë për të përshpejtuar proceset integruese të vendit?
Shpresojmë shumë, ndaj edhe jemi kaq publikë në këtë debat shumë të rëndësishëm për të ndalur sa më parë bojkotin. Ndërprerja e bojkotit dhe nevoja për një opozitë të qartë dhe efektive brenda institucioneve, është bërë imediate. Çdo këmbëngulje e tepruar për të bojkotuar institucionet, çdo keqpërdorim i mandatit publik të deputetëve të PS, (merr pjesë një ditë sa për të mos u shpërbërë grupi parlamentar dhe dil prapë nga parlamenti), bojkotimi në mënyrë spontane i seancave apo fokusimi tek zhurma në parlament, më shumë se tek epërsia e argumenteve dhe fakteve, janë një dëm shumë i rëndë që bëhet me të zgjedhurit e PS dhe vetë të ardhmen politike të PS-së.
Në grupin e punës që po punon me statutin, është përfshirë në diskutim dhe oponenca kolektive e përfaqësuar në forumet drejtuese. Mendoni se është koha që PS duhet ta formatizojë këtë dhe a ndjehet e njëjta frymë edhe në lidershipin e PS për të bashkëjetuar edhe me ata që mendojnë ndryshe?
Deri tani nuk ka asnjë shenjë ndryshimi përmirësues në drejtimin e PS edhe pas humbjes së përsëritur. Po të shohësh sot aktivitetin politik të PS, ndjehesh i zhgënjyer dhe i shqetësuar. Në parlamentin evropian bëhen tre javë debate për Shqipërinë, në PS nuk mblidhet asnjë forum për të maksimizuar veprimet tona politike. Në Bruksel mblidhen dhe miratojnë kërkesën e Shqipërisë për vend anëtar, në PS nuk mblidhet asnjë forum. Shumë institucione ndërkombëtare dhe qeveri të vendeve të ndryshme bëjnë deklarata kundër bojkotit, ndërsa në PS bëhen deklarata kush e kupton më mirë, PS-ja apo PD-ja këtë fjalë apo këtë paragraf të çdo deklarate ndërkombëtare. Pra kemi një PS pa forume, pa analizë dhe përpunim qëndrimesh ndaj dinamikës e situatës politike. Akoma duket se sunduese është fryma e partisë së kryetarit dhe jo e partisë së forumeve. Në këtë kontekst, shqetësimi ynë real nuk është thjesht përfshirja në statut e oponencës kolektive, por mentaliteti dhe realiteti se si do të drejtohet kjo forcë kaq e madhe politike.
Cili është gjykimi juaj për zgjedhjet e pjesshme që zhvillohen sot ku për herë të parë PS nuk merr pjesë në to duke i bojkotuar?
Ndjehem i trishtuar. Bojkoti i parlamentit si qëllim në vetvete dhe bojkotimi i zgjedhjeve qoftë edhe pjesore, janë elementë radikalizues dhe për pasojë vonojnë fitoren e çdo force politike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›