Shkumbini ka një brez të artë, por që duhet përkrahur
Ndërsa të rinjtë po mbushin çdo ditë e më shumë radhët e skuadrës së parë, Shkumbini U-19 nuk ka zhvilluar 5 ndeshje për mungesë terrenesh
Ekipi U-19 i Shkumbinit e ka humbur përsëri ndeshjen e fundit në tavolinë, sepse nuk pati mundësi për të udhëtuar drejt Vlorës për ndeshjen me Flamurtarin, vendim që u shoqërua edhe me gjobë nga ana e komisionit të disiplinës (edhe humbje të ndeshjes në tavolinë 3-0) për mosparaqitje në ndeshje.
Një javë më parë u përsërit i njëjti fenomen dhe ndeshja u fitua në tavolinë nga ekipi kundërshtar (Shkumbini nuk luajti takimin me Laçin në Peqin, sepse drejtuesit e klubit nuk i lejuan që të luanin në stadium për shkak të terrenit të rënduar. Të duken si paradokse këto penalizime dhe moszhvillimi i ndeshjeve sipas kalendarit, që e kanë degdisur në fundin e renditjes Shkumbinin U-19, duke mbetur deri tani kandidati kryesor për të zbritur sezonin e ardhshëm një kategori më poshtë.
Apeli i Lundraxhiut
Trajneri Xhafer Lundraxhiu është i shqetësuar që ekipi i tij prej javësh nuk ka pasur mundësi që të luajë. Ai u bën thirrje drejtuesve të klubit që ti hedhin më shumë sytë nga moshat, sepse këta të rinj stërviten çdo ditë, por për rrethana të ndryshme nuk kanë pasur mundësi të luajnë dhe ti provojnë aftësitë e tyre: Shkumbini U-19 nuk i takon vendit të fundit. Jam i bindur që do të ngjitemi më lart në fazën e dytë, nëse klubi do të marrë përgjegjësi më shumë, duke na krijuar kushtet më minimale.
Janë 5 takime të humbura në tavolinë për arsye të ndryshme, ndërkohë që kemi zhvilluar vetëm 3 ndeshje në Peqin. Ekipin e kam pasur të plotë vetëm në ndeshjen me Teutën kryesuese, që e kemi fituar me rezultatin 3-2. Unë e ndiej veten krenar që kam arritur ta furnizoj ekipin e parë me futbollistë të rinj, sepse për ne kjo është detyra kryesore, por kjo bëhet edhe më mirë kur ekipit i jepet mundësia të luajë çdo javë me kundërshtarët të fortë, duke e provuar veten në fushën e lojës dhe jo duke humbur në tavolinë, deklaron Xh. Lundraxhiu.
Të rinjtë e perspektivës
Është fakt që në Peqin për momentin po bëhet punë e mirë memoshat, duke e forcuar edhe më shumë traditën e viteve të shkuara. Nuk është rastësi që Shkumbini i këtij sezoni po përfaqësohet në mënyrën më të mirë në kampionatin e superiores duke u mbështetur tek elementi vendas. Janë plot 7 futbollistë me të ardhme që janë afruar në fillim të sezonit nga trajneri Mile.
17-vjeçarët E. Lundraxhiu, E. Sulkja, A. Magani dhe J. Vogli janë aktivizuar vazhdimisht edhe si titullarë, ndërsa të tjerët, si Nexha, Asllani, Karaj dhe Demrozi kanë qenë të gatshëm për çdo javë e janë aktivizuar pothuajse në të gjitha takimet e kupës. Trajneri Xhafer Lundraxhiu ndihet krenarë për këtë grup futbollistësh që janë stërvitur prej vitesh nga trajnerët e pasionuar Naim Gripshi, Agron Gjata etj.
Nga ana tjetër, Lundraxhiu gjen rastin të vlerësojë edhe punën e trajnerit K. Mile, i cili ka ditur tu qëndrojë pranë ekipeve të moshave, duke ndjekur nga afër takimet e tyre, si dhe duke bashkëbiseduar me trajnerët për ti inkurajuar për punën që bëjnë çdo ditë me fëmijët. Peqini ka nja brez të talentuar futbollistësh të rinj, me të cilët po punohet nga të gjithë trajnerët. Nuk kërkojnë ndonjë investim të madh, por vetëm përkushtim nga të gjithë.
Gjej rastin të falënderoj kryetrajnerin Kristaq Mile, që më shumë se asnjë tjetër na ka qëndruar pranë në seancat stërvitore dhe në disa ndeshje që kemi zhvilluar. Prania e tij ka shërbyer si një nxitje konkrete për çdo futbollist të ri, ka përfunduar trajneri i ekipit U-19, Xh. Lundraxhiu, i cili shpreson që për fazën e dytë problemet të zgjidhen në të mirë të klubit dhe të ekipeve të moshave.
