Shkumbini “shtyp” Flamurtarin
Shkumbini mposhti 2-1 Flamurtarin në Peqin, në ndeshjen hapëse të javës së 19-të të Kategorisë Superiore, duke regjistruar fitoren e katërt rresht përpara tifozëve të tij, në një takim ku gjyqtari ndërkombëtar Sokol Jareci dha tre penallti, dy për vendasit dhe një për miqtë. Heroi i takimit për formacionin e Përparim Daiut ishte mesfushori përmetar Ilirjan Çaushaj, i cili realizoi një dopjetë me dy goditje precize nga pika e bardhë në minutat 15 dhe 55. Mbrojtësi i Flamurtarit dhe i Kombëtares, Franc Veliu, realizoi barazimin e përkohshëm në minutën e 25-të, ndërkohë që sulmuesi Migen Memelli e nisi debutimin me kuqezinjtë vlonjatë me një penallti të fituar e të humbur po vetë në minutën e 50-të, falë edhe aftësive të portierit të Shkumbinit, Ibrahim Bejte.
Shkumbini e ka nisur mjaft mbarë vitin 2010, pasi dhe në javën paraardhëse fitoi 2-1 me Vllazninë, por në Peqin. Presidenca peqinase kishte përcaktuar si premio për fitoren nga 500 dollarë amerikanë për çdo lojtar. Trajneri i Flamurtarit, Gugash Magani, debutoi me humbje përpara tifozerisë së qytetit të tij. Në fazën e parë, dy skuadrat ishin ndarë në barazim 1-1, java 8, 25 tetor 2009: Roland Dervishi shënoi për Shkumbinin në minutën e 9-të, Devis Mema barazoi për Flamurtarin në minutën e 28-të. Shkumbini për momentin, me 27 pikë në 19 javë të luajtura, ndodhet në vendin e katërt, duke lënë pas vetes Teutën (26) dhe Apoloninë (25), por si durrsakët ashtu dhe fierakët kanë nga një ndeshje më pak. Ndeshja e ardhshme e Shkumbinit është ajo kundër Laçit në transfertë. Flamurtari, që nga ana e tij pësoi humbjen e 9-të në kampionat, përpara se të përballet në Vlorë me Apoloninë në javën e 20-të, do të riluajë në shtëpi me Besën, të mërkurën, më 3 shkurt, një takim që i përket javës së 18-të, por i anuluar me vendimin e Komisionit të Disiplinës për shkak të një gabimi teknik të gjyqtarit të asaj ndeshjeje, Remzi Sadiku.
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 19
29.01.2010
13:00 Shkumbini-Flamurtari 2-1
Shënues: Ilirjan Çaushaj 15’(p), Ilirjan Çaushaj 55’(p)/Franc Veliu 25’
30.01.2010
Kastrioti-Gramozi (0-0)
Dinamo-Skënderbeu (1-1)
Teuta-Tirana (0-2)
31.01.2010
Vllaznia-Laçi (1-3)
Apolonia-Besa (0-0)
* Në kllapa rezultatet e ndeshjeve të fazës së parë
RENDITJA
1 Dinamo 18 45
2 Besa 17 33
3 Tirana 18 29
4 Shkumbini 19 27
5 Teuta 18 26
6 Apolonia 18 25
7 Laçi 18 22
8 Kastrioti 18 22
9 Vllaznia 18 19
10 Gramozi 18 18
11 Skënderbeu 18 15
12 Flamurtari 18 15
KATËR FITORET RRESHT
TË SHKUMBINIT NË PEQIN
Java 19 Shkumbini-Flamurtari 2-1
Java 18 Shkumbini-Vllaznia 2-1
Java 16 Shkumbini-Dinamo 4-0
Java 14 Shkumbini-Skënderbeu 1-0
Teuta, për revansh ndaj Tiranës
Formacioni i Mirel Josës humbi fazën e parë 2-0 me Tiranën në kryeqytet. Muzaka e Devolli shënuan për 24-herë kampionët
Teuta humbi fazën e parë 2-0 me Tiranën në kryeqytet (Muzaka e Devolli shënuan për bardheblutë), por në takimin e kthimit në “Niko Dovana”, formacioni durrsak i Mirel Josës (një ish-trajner i Tiranës) është i gatshëm për revansh, duke parë dhe problemet e shumta që po kalojnë kampionët në fuqi, por dhe të barazohen me pikë me skuadrën kryeqytetase. 24-herë kampionët e Shqipërisë do të përballen me Teutën në një situata aspak normale. Post-derbi i humbur me 2-1 me Dinamon u shoqërua me masa ekstreme nga Komisioni i Disiplinës, përfshirë pezullimin për një vit të trajnerit Alban Tafaj (ka deklaruar se do ta drejtojë takimin nga tribuna) dhe dënimin me 8 ndeshje të kapitenit Devi Muka. Bardhbelutë apeluan vendimin e Komisionit të Disiplinës (sipas shefit të klubit, Dimraj, masat ishin të pabazuara), por përballë një Teute të etur për pikë dhe një vend në zonën e Europës, rekordmenët e vendit do të bëjnë pa tre lojtarë titullarë, përfshirë portierin Blendi Nallbani, mbrojtësin Ditmar Bici e mesfushorin Devi Muka. Gjithsesi, Tafaj i ka alternativat zëvendësuese: në portë, në vend të Nallbanit do të jetë maqedonasi Pece Kuronovski; në mbrojtje do të aktivizohet Entonio Pashaj, ndërkohë që sulmi do të formohet me dyshen Arbër Abiliaj-Sebino Plaku, ky i fundit tregoi pak në ndeshjen e parë kundër ish-skuadrës së tij, Dinamos. Sulmi durrsak do të kompozohet me kapitenin Vangjel Mile, e përkrah tij do të jetë blerja e re dimërore, Mirel Çota. Teuta (26 pikë) barazoi pa gola në ndeshjen e fundit me Laçin në transfertë, dhe në shtëpi ka humbur vetëm dy nga nëntë takimet e luajtura.
MUNGON HYSA
Teuta nuk ka asnjë lojtar të pezulluar, por trajneri Mirel Josa do të vuajë ende dëmtimin e sulmuesit të njohur Vilfor Hysa (i dalë nga shkolla e Tiranës).
PERFORMANCË E DOBËT
Tirana (29 pikë), nga ana e saj nuk ka një performancë të bujshme në ndeshjet në transfertë, ku ka grumbulluar 14 pikë nga 27 të mundshmet (4F, 2B, 3H).
NDESHJET E FUNDIT
Në ndeshjen e fundit në shtëpi, Teuta fitoi 1-0 me Shkumbinin e Peqinit, ndërkohë që Tirana në takimin e fundit në transfertë fitoi 1-0 me Kastriotin e Krujës (java 17).
Dinamo-Skënderbeu, kreu kundër bishtit
Dinamo barazoi 1-1 në fazën e parë me Skënderbeun në Korçë, por në takimin e kthimit, dy skuadrat përballen në pozicione ekstremisht të kundërta, blutë si kryesues të kampionati, ndërsa verdhekuqtë, si vendi i fundit në tabelën e renditjes, me një diferencë të qartë, +30 pikësh për formacionin e Shkëlqim Muçës. Për Dinamon debuton argjentinasi Timpanaro, ndërkohë që Elis Bakaj dhe Bekim Kuli janë të pezulluar. Kastrioti do të presë Gramozin në Krujë. Në fazën e parë, në Ersekë, dy skuadrat u ndanë me një barazim të thatë, por ekipet vijnë në javën e 19-të pas fitoreve respektive, Kastriotin me Skënderbeun (0-1) në Korçë dhe Gramozi në shtëpi me Apoloninë e Fierit (1-0).
30 Janar 2010