Shupo, muzika në skanerin e muzikologut
Intervistë me muzikologun, njëkohësisht dhe dekan i Fakultetit të Muzikës në Akademinë e Arteve të Bukura, Sokol Shupo
Muzikologu Sokol Shupo, një prej emrave më të njohur të kulturës muzikore dhe të jetës intelektuale në Shqipëri, në një rrëfim ekskluziv për gazetën “Albania”, tregon për rrugëtimin e tij në labirintet e botës konvencionale të notave, problemet me të cilat përballet arti dhe kultura në vend, ndryshimet në shijet e publikut, raportet mes muzikës komerciale dhe asaj të kultivuar etj. Sipas tij, muzika klasike shqiptare, si dhe arti cilësor, ka nevojë për një përkrahje më të madhe, sidomos nga shteti.
- Z. Shupo, prej afro 30 vjetësh ju jeni një ndër personalitetet më të spikatura të kulturës muzikore në Shqipëri, kompozitor, muzikolog, njohës i thellë i folklorit muzikor, si dhe një emër mjaft i njohur i jetës intelektuale në vend. Si do ta përshkruanit “rrugën e mundimshme” për të mbërritur deri këtu?
Kësaj pyetjeje i trembesha. Përmban përherë një anë “rozë” që të tundon dhe mua nuk më pëlqen shumë të flas për jetën time. Përveç rasteve kur kam edhe unë nevojë për zbavitje, dita më shkon e gjitha duke studiuar, shkruar apo medituar për gjëra të ndryshme. Natyrisht që më gëzon çdo gjë që mësoj, edhe kur nuk është e bukur, çdo zbulim i një ane të panjohur të dukurive apo të botës, më hidhëron ligësia, më vjen keq për kohën që fluturon e s’kthehet më, por e jetoj jetën pothuaj si asket, duke u shprehur vetëm me punën e mbaruar. Nuk besoj se kjo është interesante për lexuesit tuaj përderisa as për familjen time nuk është aq e këndshme - shpesh kthehem në shtëpi kur të gjithë flenë dhe dal pa u zgjuar ata akoma. Megjithatë, e nuk e përjetoj si mundim. Thjesht, kjo është mënyra ime e të jetuarit dhe unë ndihem me të vërtetë mirë me të.
Cilat janë, sipas jush, disa prej problemeve me të cilat po përballet arti dhe kultura shqiptare në përgjithësi? Cilësia krijuese ka rënë, personalitetet e reja pothuajse mungojnë, por edhe ato pak personalitete “të vjetra” thuajse nuk u ndihet zëri.
Është e vërtetë që peizazhi kulturor shqiptar, dhe sidomos ai muzikor, po përballet me një dyndje të vërtetë vlerash dhe antivlerash të larmishme. Por a nuk ndodh në të gjitha vendet kështu? Dhe a nuk ka ndodhur kështu edhe historikisht e në të gjitha kohërat? Ajo që unë do ta pyesja veten, në këtë mjedis laryshi, është se, pavarësisht sesa njihet në publikun e gjerë, a po shkon krijimtaria dhe interpretimi muzikor shqiptar, në mos drejt një cilësie të re, të paktën drejt integrimit në një peizazh muzikor botëror?
Duke filluar me vitet ’90, në krijimtarinë shqiptare mund të vërehen me lehtësi dy prirje: perfeksionimi profesional i një gjuhe muzikore tradicionale dhe radikalizimi i mënyrave të të shprehurit. Kjo nuk lidhet patjetër me brezat, ndonëse një brez më i ri anon për nga prirja e dytë. Gjuha tradicionale e veprave të fundit të profesorit tonë Çesk Zadeja na habiti të tërëve me ndryshimet që pësoi, pa e humbur përkatësinë e saj. Nga ana tjetër, Feim Ibrahimi u hodh në përvoja të ndryshimeve tërësore të mënyrës së tij të të shprehurit që e larguan pothuaj plotësisht prej gjithçkaje që kishte shkruar më parë. Por pritja e ngrohtë që i u bë atyre veprave, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj, jam i sigurt se nuk u shkaktua prej kureshtisë për të parë se ç’qenë këta kompozitorë shqiptarë, por prej vlerave konkurruese që ato përmbanin me mjedisin e huaj ku u luajtën. Kompozitorë të tjerë shqiptarë pak më të mëdhenj se ne, si Thoma Gaqi, Shpëtim Kushta, Aleksandër Peçi etj., u pranuan e u përfshinë natyrshëm në peizazhin muzikor, të paktën europian. Edhe brezi fare i ri i krijuesve po përfshihet në këtë mënyrë. Po merr çmime në konkurse, po luhet gjithnjë e më shpesh etj. Së paku kjo do të thotë se cilësia e tyre është konkurruese edhe në një treg me kërkesa dhe nuk ka rënë. Natyrisht që këtu bëhet fjalë për më të mirët, por sadopak që ata të jenë, përsëri janë një tregues dhe një shpresë.
Në fushën e interpretimit kjo gjë është më e dukshme. Pa folur për artistë shqiptarë që luajnë në skenat më të rëndësishme të botës, si Mula, Gjipali, Shkoza etj., etj. dhe jetojnë andej, në Shqipëri jeton një plejadë shumë aktive dhe cilësore. Mjaft të përmend këtu pianistë si Nora Çashku, apo më të rinj si Merita Rexha, violonçelistë si Astrit Selita etj. (të më falin këtu ata që s’po u përmend emrat), përvojat e të cilëve jo vetëm në skenat shqiptare, kanë qenë përherë të suksesshme. Për publikun e gjerë ata janë më të njohur se kompozitorët sepse dalin në skenë dhe luajnë.
Si përfundim, personalisht mendoj se në krijimtarinë dhe në interpretimin muzikor shqiptar vlerat vazhdojnë të përcillen. Por, nëse njihen më pak, kjo nuk është për faj të tyre. Të tërë duam të ketë më shumë “vesh” që të na dëgjojnë, por kjo nuk varet vetëm prej nesh.
- Ajo që vëmë re është edhe fakti tronditës se thuajse kanë shterur kompozimet në planin klasik të muzikës të shumë zhanreve, si ato simfonike, operistike deri edhe kompozimet për instrument të caktuar si piano, violonçel etj., etj., kanë shterur muzat krijuese të kompozitorëve apo nuk ia vlen të punohet në këtë drejtim? Si mund ta komentoni këtë situatë?
Nuk do të isha shumë i sigurt për këtë. Nëse do të krahasonim, për shembull, prurjen e veprimtarisë kryesore dhe pothuaj të vetme të periudhës së socializmit, serisë së Koncerteve të Majit, e cila zgjati prej vitit 1967 deri në vitin 1988, me prurjen e periudhës pothuaj njëzetvjeçare të pasviteve ’90, nuk mendoj se do të vërejmë ndonjë dallim të madh në pikëpamje sasiore. Pra “muzat” e krijuesve vazhdojnë të “burojnë” mirë akoma. Ndryshimi ndërmjet dy periudhave që përmenda më sipër shprehet në dy anë të tjera të “jetës” së krijimeve muzikore, në mundësitë reale që e përditshmja e sotme ofron për t’i luajtur ato dhe në mënyrën nëpërmjet së cilës ato përcillen te publiku.
Kështu, për arsye të lehtësisë më të madhe për t’i interpretuar, kompozitorët e kanë përqendruar vëmendjen e tyre më shumë te veprat e gjinive të muzikës së dhomës dhe te veprat solistike sesa te veprat simfonike dhe te operat dhe kjo gjë ka sjellë një shpërpjesëtim në kuptimin e zhvillimit të harmonishëm të krijimtarisë muzikore shqiptare. Veprat e muzikës së dhomës kërkojnë një numër më të vogël interpretuesish, pra kanë një kosto më të vogël prodhimi. Shpesh kjo kosto mund të mbulohet edhe prej sponsorizimeve modeste apo edhe prej vetë kompozitorit. Por kostoja e prodhimit në muzikë është me të vërtetë e madhe. Nëse një libër sapo e blen mund ta marrësh dhe ta lexosh kudo, veprën muzikore, kur e shfaq në një sallë tjetër koncerti, duhet ta marrësh me gjithë muzikantët. A mund ta përfytyroni se sa kushton një ripërsëritje e një koncerti me një orkestër me 60 muzikantë, apo e një opere me 100 muzikantë dhe me një prapavijë të konsiderueshme! Në kushtet e sotme të Shqipërisë, këtë të fundit mund ta përballojë vetëm shteti.
Dallimi i dytë ka të bëjë me kontaktin që këto vepra kanë me publikun. Nëse në kohën e mëparshme shteti, si i vetmi prodhues i ngjarjeve kulturore i përqendronte të tëra mundësitë e tij propagandistike, radion, televizionin, gazetat, revistat etj., në ngjarjet e pakta kulturore që organizonte vetë, sot, mediat private dhe publike, me gjithë interesin për të publikuar kalendarët apo informacionet për ngjarjet, e përqendrojnë vëmendjen e tyre më shumë te interesi për shikueshmërinë e gjerë. Dhe dihet se sa mund të jetë sasia e shikuesve apo dëgjuesve të muzikës klasike në krahasim, të themi me një debat televiziv mbi politikën apo një koncert me muzikë të lehtë.
Pra, ajo që desha të theksoj është se shqetësimi që shpreh pyetja juaj, pavarësisht prej të vërtetave që përmban, nuk është krejtësisht i përligjur. Muzika “klasike” shqiptare nuk është se po vdes, por ajo ka nevojë për një përkrahje sistematike për t’u zhvilluar në mënyrë të harmonishme, dhe për një përkrahje të vazhdueshme për t’u bërë e njohur. Kjo gjë do të thotë për një politikë kulturore më të mirë dhe më të mençur.
Mjaft partitura me kompozime klasike të kompozitorëve shqiptarë gjenden të pluhurosura nëpër arkiva. Mes tyre ka edhe kompozime që lënë për të dëshiruar, por në një pjesë të madhe ka edhe vepra dinjitoze. Çfarë mund të bëhet për t’i rinxjerrë në dritë dhe për t’i rivlerësuar si nga pikëpamja kritike, ashtu edhe për t’i servirë rishtazi dëgjuesve të pasionuar të muzikës klasike?
- Prej jetës relativisht të shkurtër të muzikës artistike shqiptare, e cila ka lindur afërsisht para një shekulli, trashëgojmë përvoja me të vërtetë të çmuara. Jam i sigurt që vlerat e më të mirave prej tyre nuk mbeten vetëm në rrafshin e dokumentit historik dhe se duhen riaktivizuar patjetër. Në Akademinë e Arteve muzika shqiptare studiohet dhe nëpër stinët e saj koncertore luhen edhe mjaft vepra të kompozitorëve shqiptarë. Pra një përpjekje sistematike për të formuar nëpërmjet tyre dhe për t’i ringjallur bëhet. Teatri i Operës ka rivënë në skenë kohët e fundit vepra të kompozitorëve shqiptarë, dhe kjo është një përvojë shumë e mirë. Edhe orkestra e Radios ka vepruar në të njëjtën mënyrë. Por, për t’i “ringjallur” tërësisht dhe për t’i vënë plotësisht në shërbim të kulturës shqiptare, së pari ato partitura dhe incizime duhen dixhitalizuar, sepse në gjendjen që janë nuk mund të shkojnë shumë gjatë. Së dyti, duhet vendosur norma që në programet e të gjitha koncerteve, pa përjashtim, të ketë, së paku, një vepër shqiptare. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të mbajmë gjallë trashëgiminë e çmuar të pedagogëve ose kolegëve tanë të brezave më të vjetër. Ka shumë vende që e zbatojnë këtë praktikë.
ǒmund të thoni për publikun?
Publiku shqiptar ka pësuar një ndryshim cilësor. Në periudhën e socializmit, nëpër Koncertet e Majit, përveç publikut të mirëfilltë të muzikës “klasike”, në sallën e koncertit mund të gjeje me shumicë përfaqësues të “organizatave të masave” e të “rëndësishëm” të tjerë që vinin për t’u dukur e për t’u bërë edhe më të njohur. Nga ana tjetër, përbërja e programeve të koncerteve, qe e larmishme e nuk i drejtohej vetëm publikut të specializuar të kësaj muzike. Programet tipike të atyre koncerteve përmbanin, krahas veprave simfonike dhe instrumentale, edhe këngë valle etj. Në një mënyrë kjo praktikë e dëmtoi publikun. Periudha e parë viteve ’90 solli një publik sasior, por, me t’u shuar kureshtja e parë, publiku u mblodh e u tkurr. Jo në kuptimin e keq, sepse ka edhe nga ata, sidomos sponsorët, që mendojnë se po ka pak spektatorë nuk është mirë, por në kuptimin se u bë më cilësor dhe i specializuar. Për mua nuk ka rëndësi se sa veta ka në sallë, por sa të vëmendshëm dhe sa të interesuar janë.
Shumë muzikantë duket se janë prirur tashmë drejt aspekteve komerciale duke lënë mënjanë cilësinë. Studiot elektronike kanë zbehur orkestrat “live”. Ahengxhinjtë po zëvendësojnë profesionistët. Kultura popullore më shumë po banalizohet. Çfarë duhet të bëhet në mënyrë që gjërat të mos degradojnë më tej?
Unë nuk do ta zymtësoja kaq shumë gjendjen edhe pse sipërfaqja mund të duket vërtet e tillë. Nëse do të krahasoja me periudhën e shkuar, do të pohoja pa mëdyshje se edhe tërë ajo krijimtari e ideologjizuar dhe kitsch e kohës së shkuar, e cila, ndër të tjera, sillte edhe fitime, qe një lloj “komercializmi”. Por në një periudhë prej afërsisht 50 vjetësh ajo arriti të na modelojë edhe ne. Në këtë pikë, pa mohuar rolin që luan në këtë treg të sotëm muzikor formimi profesional i krijuesve dhe interpretuesve, i cili shpesh nuk është në shkallën e duhur ose mungon fare, duhet të pranojmë se kjo përshtypje që kemi për gjendjen rrjedh shumë edhe prej mënyrës në të cilën ne jemi formuar për të perceptuar “të ndryshmen”. Pra na duhet të gjykojmë edhe mbi aftësinë tonë për t’u “rimodeluar” ose për të qenë të hapur.
Për mua, kultura popullore vetëm sa po përballet me një situatë të re tregu, e cila është e panjohur, apo po fillon të njihet nga e para edhe prej më të sprovuarve. Por hallakatja që krijon pashmangshmërisht kjo përballje nuk mund të ndreqet me përpjekje rastësore apo me “karshillëqe”. Duhet konceptuar dhe zbatuar një strategji kulturore, e cila të ketë në themel të saj konkurrencën.
Sa për studiot elektronike, edhe ju e vëreni që në krahasim me fillimin e viteve ’90 cilësia e tyre si instrumente po vjen duke u përmirësuar. Nuk mendoj se duhet të trembemi apo t’i mallkojmë se na prishën muzikën. Kur, në fillim të shekullit XIX klarineta zëvendësoi gradualisht kavallin në sazet e Jugut, në radhët e “tradicionalistëve”, kundërveprimi ka qenë me siguri po kaq agresiv. Por a i përfytyroni dot sot sazet e Laver Bariut me kavall në vend të klarinetës? Dhe sa për ahengxhinjtë, edhe për ta ka vend në treg. Zakonisht ata pësojnë një seleksionim “natyror”. Më i miri që mbetet bëhet “modeli”, i cili më pas do të prishet përsëri për të ngjizur një tjetër “model”, i cili përsëri do të “prishet” dhe kështu pafundësisht…
30 Janar 2010