Imuniteti, sekretet e njerëzve super të shëndetshëm, që nuk sëmuren kurrë
Disa njerëz duket sikur nuk sëmuren kurrë. Çfarë bëjnë ata për të arritur një stad të tillë dhe cili është sekreti i tyre për të mbajtur larg sëmundjet? A jeni juve ziliqarë për kolegët dhe shokët tuaj, të cilët si super heronj, duket sikur nuk sëmuren asnjëherë? Pra, ju e dini për kë e kemi fjalën, për ata njerëz, të cilët rrezatojnë nga shëndeti i mirë, ndërkohë që të tjerët rreth tyre po teshtijnë, tërheqin hundët apo kolliten gjithë mllef. Mos i urreni njerëzit e shëndetshëm, por përkundrazi mundohuni të vidhni sekretet që i mbajnë larg këta njerëz nga ilaçet dhe mjekët apo mundohuni të përmirësoni imunitetin tuaj ndaj sëmundjeve.
Ushtrime për trupin
Jennifer Casseta, e cila është një instruktore e arteve marciale në qytetin e New York, pretendon se nuk sëmuret kurrë po ashtu si edhe babai apo gjyshja e saj, të cilët ushtronin po të njëjtin profesion dikur. “Unë besoj që metoda holistike (spirituale) e ‘të stërviturit’ qetëson mendjen dhe çliron stresin. Kardioterapia, fuqia dhe kondicioni fizik ndihmojnë gjithashtu në forcimin e sistemit imunitar”,- shprehet ajo. Casseta thotw se me praktikimin e arteve marciale shëndeti i saj ka pësuar një ndryshim drastik. Më përpara në moshën 20-vjeçare, ajo ishte një duhan pirëse e thekur që konsumonte ushqime të gatshme dhe që pinte shume kafe ekspres. “Ndërkohë që fillova të stërvitesha, ndryshova menjëherë zakonet e mia të vjetra”,- thotë ajo, duke vijuar: “Përmirësova dietën, hoqa dorë nga cigarja dhe shtova orët e ushtrimit dhe fitnesit. Tani në moshën 30-vjeçare kam më shumw energji, dukem më e bukur dhe jam më e fuqishme seç kam qenë ndonjëherë më përpara”. Ndërsa sipas Christiane Northrup autore e “Women’s Bodies, Women’s Wisdom” (Trupi dhe Mençuria e femrave), një set i vrullshëm ushtrimesh dhe fitnesi rrit së tepërmi qarkullimin e gjakut. Sa herë që rritet qarkullimi i gjakut, edhe sasia e qelizave të bardha (mbrojtëse) të gjakut rritet. Këto qeliza kontrollojnë për baktere invaduese dhe mbrojnë organizmin nga to.
Kushtojini vëmendje gojës
Këshilltarja e marrëdhënieve me publikun në Chicago, Joanna Brousard, thotë se bërja e shpeshtë e gargareve me lëngje disinfektuese (antiseptike) të gojës e ka ndihmuar atë në përmirësimin e higjienës së gojës dhe dhëmbëve, duke parandaluar në këtë mënyrë shfaqjen e sëmundjeve të tjera. Ajo vazhdon duke thënë se mjeku higjienist e bindi atë që të bënte rregullisht gargare pasi lante dhëmbët. “Kështu unë u përpoqa dhe e bëra këtë gjë zakon për çdo mëngjes. Që atëherë nuk kam pasur asnjëherë të ftohura, edhe pse njerëzit përreth janë sëmurë me grip apo kanë qenë ftohur”,- shprehet Brousard. Sipas aj, një arsye më shumë për të larë dhëmbët rregullisht dhe për të bërë gargara është se higjiena e keqe e gojës apo sëmundjet e mishit të dhëmbëve lidhen me shumë sëmundje të organizmit, ku përfshihet edhe diabeti.
Një mollë në ditë funksionon me të vërtetë
Shprehja e vjetër “Një mollë në ditë mban mjekun larg shtëpisë”, qw mund ta keni dëgjuar nga mami juaj është shumë e drejtë. Molla e kuqe, lule lakra dhe çaji jeshil përmbajnë një antioksidant të quajtur quercin, i cili mund të rrisë imunitetin tek individët e stresuar. Në një studim të kryer nga David Nieman, profesor në Universitetin Appalachian State rezultatet treguan që vetëm 5% e çiklistëve(të cilët morën 1000 mg quercin çdo ditë për 5 javë) shfaqën sëmundje respiratore pas një periudhe dy javore stërvitjeje intensive. Ndërsa 45% e atyre, të cilët morën placebo (substancë pa efekte) raportuan sëmundje pas një periudhe stërvitjeje intensive. Gjithsesi nuk u vunë re ndryshime të rëndësishme në funksionimin e sistemit imunitar në të dyja grupet. Përveç kësaj, kërkuesit zbuluan se atletët, të cilët merrnin quercenin zotëronin një vigjilencë mendore dhe kohë reagimi më të mirë se grupi tjetër. Prandaj mos iu ndani mollës së kuqe, dhe me siguri do të falënderoni mamanë tuaj në të ardhmen.
Mos u shqetësoni dhe mundeni stresin
Duhet të ndaloni së shqetësuari se mos sëmureni. Frika dhe të priturit se mos ndodh diçka e keqe ul imunitetin. Kur njerëzit shqetësohen për të gjithë kohës, ata në kuptimin e plotë të fjalës e frikësojnë veten për vdekje. Shqetësimi i vazhdueshëm shkakton rritje të nivelit të epinefrinës dhe kortizolit, por këto hormone (të quajtura të stresit) mund të dobësojnë imunitetin e trupit. Sistemi imunitar bie ndjeshëm kur kortizoli është në nivele të larta në mënyrë kronike. Vetë trupi i njeriut prodhon shumë steroide kur kortizoli është në nivele të larta.
Merrni më shumë vitamina
Ne kemi një mungese epidemike botërore të vitaminës D. Të gjithë kanë nevojë për vitaminë D, e cila mund të merret në ushqime si peshku, vezët dhe qumështi. Sipas njw instruktore fitnesi, anketat tregojnë që amerikanët nuk marrin mjaftueshëm vitaminw C. Agrumet janë një burim i mirë me vitaminë C. “Është vetëm një mit fakti që vitamina C parandalon të ftohurën, porse marrja e sa më shumë vitaminave me anë të ngrënies se frutave dhe perimeve rrit gjithashtu imunitetin”,- thotë instruktorja.
Mendja mbi trupin
Dizenjuesja e brendshme nga Atlanta e quajtur Melissa Galt, beson në qëndrimin e “mendjes mbi mjekësinë”. Ajo udhëton shpesh dhe nuk merr asnjë gjë për të luftuar mikrobet. “Nuk kam kohë për t’u sëmurur, dhe nuk besoj në sëmundje”,- thotë ajo. Çdo mendim shoqërohet me një zinxhir reaksionesh biokimike. Kështu që, një qëndrim pozitiv bën që të rriten nivelet e oksidit nitrik, të cilët ndihmojnë për të balancuar neurotransmetuesit, përmirësojnë imunitetin dhe rrisin qarkullimin. Çdo herë që nivelet e oksidit nitrik janë të larta (nga qëndrimet pozitive tek fitnesi), përmirësohet rezistenca ndaj sëmundjeve.
Meditimi dhe praktikat e frymëmarrjes
Felice Rhiannon, një terapiste e Yoga-s vlerëson meditimin dhe praktikat e frymëmarrjes, për përmirësimin e shëndetit të saj fizik dhe shpirtëror. Sipas terapistes, praktikat medituese ndihmojnë në qetësimin e sistemit tw saj nervor dhe lejojnë sistemin imunitar që të funksionojë më me pak interferenca. “Një mendje qetë do të thotë freski fizike. Unë nuk sëmurem më si dikur dhe ndryshimi i madh vjen nga qetësia e mendjes dhe ngaqë i marr gjërat më lehtë. Unë fle më mirë dhe aftësia për t’u përballur me streset e paevitueshme të jetës më është përmirësuar ndjeshëm”,- pohon mw tej terapistja. Në një studim të publikuar në Psychosomatic Medicine (2003), kërkues nga Universiteti i Harvard dhe Wisconsin vunë re se vullnetarët që morën pjesë në një kurs meditimi 8 javor kishin numër apo titër më të lartë antitrupash gripalë sesa ato që nuk medituan.
Mos shkëpusni lidhjet me shoqërinë
Sheldon Cohen, profesor psikologjie, kërkimet e të cilit shqyrtojnë ndikimet e stresit dhe mbështetjes sociale mbi imunitetin dhe shëndetin thotë që ka faktorë personaliteti të cilët bëjnë që disa persona të jenë rezistentë ndaj sëmundjeve kur ekspozohen ndaj një virusi. Për shembull, ekstrovertët (extrovert – i hapur, social) janë më pak të predispozuar për t’u prekur nga sëmundjet, sesa introvertët (introvert – i mbyllur, jo social). Profesor Cohen shpjegon se kjo nuk do të thotë se extrovertët kanë imunitet ndaj një virusi, sepse komunikojnë dhe bashkëveprojnë me më shumë njerëz, porse ka diçka tek extrovertët që duket se i mbron ata. “Të pasurit e një rrjeti shoqëror të ndryshëm është gjithashtu e rëndësishme”,- thotë Pr.Cohen. sipas tij, individët, të cilët i përkasin grupeve sociale të shumta preken më pak nga sëmundjet. “Bazuar në fakte nga Epidemiologjia njerëz të tillë kanë më pak probleme me zemrën dhe jetojnë më gjatë”,- përfundon ai.
Jini pozitivë
Profesor Cohen sugjeron që njerëzit me sens emocional pozitiv, të përshkruar si të lumtur, entuziastë dhe të qetë, preken më pak nga të ftohurat. Profesor Cohen dhe disa kërkues në Universitetin e tij, intervistuan 193 adultë të shëndetshëm çdo ditë për 2 javë duke regjistruar emocionet e tyre pozitive dhe negative, dhe pastaj i ekspozuan ata ndaj virusit të gripit. Ata njerëz me botëkuptim dhe emocione pozitive shfaqën më pak simptoma gripi dhe ishin më rezistent ndaj zhvillimit të një sëmundje respiratore të sipërme. Profesor Cohen i komenton kwshtu rezultatet e studimit të tij: “Është një karakteristike e qëndrueshme e individit, dhe s’ka të bëjë me faktin nëse kanë qenë me humor apo jo ditën e ekspozimit ndaj virusit”.
Lani duart sa më shpesh
Larja e duarve mund të tingëllojë si një këshillë për të luftuar bakteret, por shumë nga ne nuk janë syhapur për t’i larë ato pas përdorimit të tualetit. Gjatë periudhës së ftohtit dhe të gripit, ju duhet të lani duart sa më shpesh për shkak të kontaktit me baktere patogjene nga më të ndryshmet – në doreza dyersh, parmakë apo gjatë kontaktit me njerëz të tjerë. Nga të dhënat që jep Center for Disease Control (Qendra pwr Kontroll Sëmundjesh), larja e duarve për 20 sekonda është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga të ftohurat apo dhe infeksionet e tjera.
Flini 8 orw të pandërprera gjumë
Gjumi të mban të shëndetshëm. Njerëzit që bëjnë 8 orë të pandërprera gjumi janë më të kthjellët. Prof.Cohen thotë që cilësia e gjumit ka shumë rëndësi, sepse njerëzit që i zë gjumi menjëherë dhe flenë “top” preken më pak nga të ftohurat, sesa njerëzit që zgjohen disa herë brenda natës. Një gjumë i mirë gjatë natës rikthen imunitetin, sepse prodhohet më tepër melatoninë, një hormon që rrit imunitetin. Dhe për më tepër, të fjeturit nuk ka efekte anësore.
30 Janar 2010