Shkup, dështon regjistrimi, dorëhiqet KSHR-ja
SHKUP- Anëtarët e Komisionit Shtetëror të Regjistrimit (KSHR) kanë dhënë mbrëmë dorëheqje, pas problemeve të procesit të regjistrimit në terren si dhe rreth interpretimeve të ndryshme të Ligjit për regjistrim.
Nënkryetari i KSHR-së, Bujar Osmani njoftoi dorëheqjet e të gjithë anëtarëve maqedonas dhe shqiptarë të KSHR-së dhe se kjo sipas tij ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm.
Sipas tij, kjo situatë e krijuar çon drejt anulimit të këtij procesit, por gjithçka siç tha ai do të vendoset gjatë ditëve të sotme për masat e reja.
Ka pasur mosmarrëveshje të vazhdueshme lidhur me problemet organizative në terren si dhe rreth mënyrës së interpretimit të Ligjit për regjistrim në terren nga ana e regjistruesve dhe këto çështje dihen sepse ishin shpalosur edhe në media, deklaroi per INA nënkryetari i KSHR-së, Bujar Osmani.
Përplasjet e vazhdueshme midis anëtarëve maqedonas dhe shqiptarë rreth interpretimit të Ligjit për të regjistruar qytetarët që jetojnë jashtë vendit ka qenë një nga arsyet kryesore që çoi në dështimin e këtij procesi.
Vendimi i KSHR pritet që sot të jetë temë kryesore në seancën qeveritare dhe mundësinë e vënies në rend dite edhe nga Parlamenti, ku do të vendoset lidhur me hapat e mëtejmë rreth operacionit të regjistrimit të popullsisë, që duhej të përfundonte më datë 15 tetor.