Shkup, lirohen 4 të arrestuar, mes tyre 2 vajzat
SHKUP- Katër nga 20 të arrestuarit në operacionin “Monstër” janë lënë të lirë pas skadimit të paraburgimit 48 orësh.
Familjarët e të arrestuarëve kane bere me dije se në mesin e të liruarëve janë 20 vjeçarja Sureja Hasipi nga Hasanbegu, Kimete dhe Qazmedin Demiri nga Haraçina si dhe Besim Hajdari, 24 vjeçari nga Shkupi.
Katërshja është liruar dhe se nuk do të pjesë e hetimeve për t’i ngarkuar me vepra penale bashkëveprim, ndihmë dhe bashkërendim në kryerjen e veprave kriminale si dhe për gjetje armësh dhe materiale tjera të dyshimta, që janë pjesë e hetimeve.
Dje u la e lirë edhe 60 vjeçarja Feride Bilalli nga Hotla e Likovës, për shkaqe shëndetësore dhe se ndaj saj vijon procesi 48 orësh i arrestit shtëpiak dhe i është konfiskuar pasaporta.
Masat e sigurise
Në Gjykatën Penale në Shkup janë shqiptuar masat e gjykatësve hetues ndaj të ndaluarve në operacionin Monstër lidhur me vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit.
Masa e paraburgimit 30 ditësh është shqiptuar për pesë të akuzuarit kryesor si kryerës të vrasjes, dy prej të cilëve janë në arrati. Avokati Naser Raufi deklaroi për agjencinë e lajmeve INA se tre prej tyre janë dërguar në Burgun e Shutkës.
Sipas tij, njëri nga të akuzuarit si kryerës i vrasjes është mbrojtur në heshtje para gjykatësve hetues.
Paraburgim prej 30 ditëve është shqiptuar edhe për katër të tjerë, ndërsa paraburgimi prej 48 orëve është shqiptuar për 10 veta, ku bëjnë pjesë grupi i vajzave dhe grave të ndaluara. Gjykatësit kërkuan masën e tillë me qëllim për të kryer ekspertizën e materialeve dëshmuese dhe armëve të gjetura, ndërsa më pas do të vërtetohet përgjegjësia e tyre.
Feride Bilalli, 60 vjeçarja nga Hotla e Likovës u la e lirë për tu mbrojtur në arrest shtëpiak, për shkak problemeve shëndetësore. Gjykata ka konfiskuar pasaportën e saj.
Gjykata ndaj pesë të akuzuarve kryesor si kryerës të vrasjes së pesëfishtë ka ngritur akuzën për terrorizëm, ndërsa ndaj personave të tjera akuzën për organizim, ndihmë, fshehje të veprës së terrorizmit. (INA)