E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkup, lustrimi vetëm për funksionarët

SHKUP- Komisioni për lustrimin do të merret vetëm me verifikimin e deklaratave dhe hapjen e dosjeve për funksionarët aktual.

Kjo është bërë pasi Gjykata Kushtetuese ka vendosur stopimin e procesit të lustrimit për gazetarët, klerikët, shoqatat joqeveritare, avokatët, ish-funksionarët, etj dhe se ajo do të shqyrtojë gjatë periudhës së ardhshme nenin 12 të Ligjit për lustrim në një procedurë të posaçme, informon INA.

Sipas Komisionit për Lustrimin, me ndryshimet e Ligjit për lustrimin nga ana e maxhorancës aktuale ishte paraparë edhe lustrimi i kategorive të lartpërmendura, mirëpo Gjykata hodhi poshtë këto duke e rikthyer ligjin në versionin e parë të miratuar.

Mbi 2000 dosje të gazetarëve, klerikëve dhe personave të tjera që ishin përfshirë për lustrim tashmë janë në sirtarët e Komisionit, mirëpo shqyrtimi dhe verifikimi i tyre është stopuar me ligj.

Kryetari aktual i Komisionit të Lustrimit, Tome Axhiev ka theksuar se Komisioni po merret me dosjet e gjykatësve, prokurorëve, anëtarëve të Akademisë së shkencave dhe arteve si dhe më pas dosjet e zyrtarëve shtetëror. Në këtë kategori hyjnë zyrtarët ushtarak, sekretarët shtetëror, drejtorët dhe të punësuarit nëpër agjenci, drejtori, anëtarë të këshillave drejtuese, komisioneve, ministrive dhe nëpër fakultete.(INA)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›