E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkup, miratohet si festë 100 vjetori i Pavarësisë

SHKUP- Parlamenti i Maqedonisë votoi propozimin që nën patronazhin e Qeverisë të shënohet 100 vjetori i pavarësisë së shtetit shqiptar dhe Dita e Flamurit.

Gjithashtu është pranuar që edhe të kujtohet përvjetori i ministrit të parë të mbrojtjes të shtetit shqiptar, Mehmet Pashë Deralla.

Këto dy propozime u pranuan në kuadër të Programit për shënimin e ngjarjeve dhe jubileve historike për vitin 2012.  Propozimet janë miratuar me votat e maxhorancës VMRO-DPMNE dhe BDI, por edhe dy deputetë të RDK, ndërsa deputetët e PDSH-së kanë munguar në sallë.

Deputeti i BDI-së, Arben Labënishta ka theksuar se duhet të pranohen festat kombëtare të shqiptarëve dhe se me ato respektohet kultura, trashëgimia historike kulturore e njëri tjetrit në Maqedoni.

Deputetët nuk pranuan propozimin e Rilindjes Demokratike Kombëtare (RDK) që në kuadër të shënimit të ngjarjeve historike për vitin 2012 të përfshihen edhe Ngjarjet e Gostivarit për flamurin kombëtar në vitin 1997 si një jubile i 15 vjetorit.

Në kuadër të manifestimeve është pranuar edhe 100 vjetori i shkollës së parë shqipe në Komunën e Tearcës,  80 vjetori i lindjes së piktorit me famë botërore Omer Kaleshi, 100 vjetori i marrëveshjes turko-osmane e cila ka të bëjë me luftërat pas luftërave ballkanike, Revista “Jehona”, 20 vjetori i pavarësisë së Maqedonisë, 150 vjetori i Vëllezërve Milladinov si dhe pesë vjetori i vdekjes së Toshe Proeskit. (INA)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›