E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, konfiskohen materiale propagandistike serbe

Nje nga doganat ne veri te Kosoves / Foto arkiv

Një numër i gazetave, si material propagandues Srpske Novine, janë identifikuar dhe sekuestruar në Vushtrri, pas ndalimit dhe kontrollit të një automjeti, ka njoftuar nëpërmjet një komunikate Policia e Kosovës.

Autoritetet e rendit fillimisht kanë ndaluar në trafik një makinë me pesë udhëtarë brenda, dy meshkuj dhe tri femra, gjithë të përkatësisë etnike serbe.

Gjatë kontrollit, njësitë policore kanë identifikuar një sasi prej 38 gazetash të emëruara si Srpske Novine, të shtypura në Toronto të Kanadasë, në alfabetin cirilik në gjuhën serbe, në emër të lëvizjes çetnike të Ravna Gorës (Cetnicki Ravno Gorski Pokret).

Materiali si destinacion kishte njërën nga kishat ortodokse në qytetin e Shtimes.

Automjeti, së bashku me materialin e identifikuar dhe të pesë personat në automjet, janë shoqëruar në stacionin policor në Vushtrri, për sqarim të mëtejshëm.

Sipas udhëzimeve të prokurorit publik, rasti është iniciuar si vepër penale e paraparë në bazë të nenit 115 të Kodit Penal të Kosovës, Nxitje e urrejtjes, e përçarjes ose e mosdurimit kombëtar, racor, fetar a etnik, ka njoftuar policia.

Policia ka ndaluar S. Antonijeviç, banore e Beogradit, e cila ka deklaruar se i tërë materiali i takonte asaj, ndërsa katër personat e tjerë, pas deklaratave të dhëna në polici, janë liruar nga lokalet policore. / Kosova.com

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›