Zyrtari i Berishës kërkon dy vjet burg për gazetaren
Drejtori i Marrëdhënieve më Publikun në Kryeministri, Gjovalin Prenga, padit gazetaren e Shekullit për shpifje dhe kërkon dënimin e saj me dy vjet burg.
“Dje, në Gjykatën Penale të Tiranës, u zhvillua seanca e dytë e gjyqit ndërmjet meje, Lindita Çela, gazetare në gazetën Shekulli dhe drejtorit të Marrëdhënieve me Publikun në Kryeministri. Drejtori më ka paditur për veprën penale Shpifje të parashikuar në nenin 120/2 të Kodit Penal. Seanca e parë ishte më 9 mars, por gjykatësi Arben Mico, u detyrua të shtyjë gjyqin se funksionari i lartë i kabinetit Berisha nuk kishte me vete kurrfarë dokumenti ligjorë për të vërtetuar ekzistencën e tij, qoftë edhe si drejtor i Marrëdhënieve me Publikun në Kryeministri.
Dje kishte marrë gjithçka i duhej. Ishte mëse i bindur që unë duhet të përfundoja pas hekurave për fyerjen e rëndë që i kam shkaktuar. Shpagim kishte burgimin tim (dy vjet) siç edhe e parashikon Kodi i Procedurës Penale. Ndaj seanca e pajtimit ishte thjesht një formalitet ligjor mes meje dhe drejtorit të Marrëdhënieve më Publikun.
Por, çfarë ka ndodhur që funksionari i lartë i kabinetit Berisha është irrituar kaq shumë sa do të më shohë pas hekurave? Si qytetare e këtij vendi as nuk e kam fyer dhe as nuk kam cenuar të drejtat dhe liritë e këtij shtetasi. Gjithë historia ka nisur atëherë kur Shaban Memia, funksionar i lartë i Partisë Demokratike, në cilësinë e drejtorit të ALUIZNI-t serviri dokumente për ish bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Memia quante si të tillë, vartësin e tij Ferdinand Shehu, ndaj kërkonte shkarkimin nga detyra. E për të vërtetuar këtë, krahas dokumenteve të tjera, ishte dhe ai ku përmendet emri i drejtorit të Marrëdhënieve me Publikun në Kryeministri. Në gazetën Shekulli, më datën 7 tetor të vitit 2011 kam shkruar për spiunët e zbuluar nga Shaban Memia. Përdorimi i fjalës spiun në titull e shkrim jo rastësisht është vënë në thonjëza dhe në kontekst ironik. Ai nuk shprehte një qëndrim apo besim timin apo të gazetës, por i ishte mbivendosur interpretimit që ALUIZNI ka bërë për rastin Shehu. Por, asokohe Drejtori i Marrëdhënieve me Publikun në Kryeministri nuk i drejtohet gjykatës. Pasi kalojnë 5 muaj, funksionari i lartë i kryeministrit i drejtohet gjykatës, kërkesë kjo që çuditërisht përkon pas një sërë shkrimesh të mia ndaj kryeministrit Sali Berisha. Kërkesa për hapjen çështjes penale vjen fill pas realizimit të intervistës me babain e Hekuran Dedës, i vrarë më 21 janar, ku akuzon badigardë të kryeministrit që i kanë ofruar para në shkëmbim të pritjes për mort të Sali Berishës. Këto janë shpifje që kam shkruar për të cilat funksionari nga Katundi i Vjetër Rubik, kërkon dënimin tim me burgim në bazë të nenit 120 të Kodit të Procedurës Penale”, shprehet gazetarja Lindita Çela për këtë rast.
