David Miliband: Jam në pritje për të parë suksesin e Ramës
Kryetari i PS Edi Rama zhvilloi takime me drejtuesit më të lartë të Partisë Laburiste në Britaninë e Madhe. Pas takimit me Edi Ramën, ish ministri i jashtëm David Miliband, njëkohësisht dhe Drejtor i Politikave në qeverisjen e Tony Blair, u shpreh: Jam i lumtur që mu dha mundësia të takohem me kryetarin Rama. Jam shumë i impresionuar me vizionin që ai ka për vendin dhe për partinë e tij. Ne biseduam për sfida siç është papunësia përballë ndryshimeve ekonomike, sfidat sociale që përballen vendet tona, gjithashtu edhe për situatën ndërkombëtare, sepse në botën moderne çështjet ndërkombëtare dhe ato të brendshme janë shumë afër njëra tjetrës. Gjithashtu biseduam për partitë tona për ti shndërruar në lëvizje të fuqishme ku të përfshihen sa më shumë njerëz. Jam në pritje për të parë suksesin e zotit Rama.
Pas takimeve Kryetari Edi Rama do të shprehej mjaft optimist: Jemi shumë të mbresuar nga takimet në këtë godinë me kryetarin e Partisë Laburiste Ed Miliband, me ministrin e jashtëm në hije Douglas Alexandër dhe në mënyrë të posaçme me David Miliband, i cili dëgjoi gjerë e gjatë për programin tonë Për një Rilindje Shqiptare dhe si një ndër themeluesit e procesit të rrugës së programit në Partinë Laburiste dhe të transformuar të Tony Blair. Ishte një burim shumë i rëndësishëm informacioni dhe fakti që programi ngjalli entuziazmin e tij na kthen në Tiranë sikur të jemi të bërë me fletë.
Ndërsa mbi 2 orë me studentët shqiptarë që punojnë në Britani Edi Rama ka zhvilluar një bisedë mjaft të këndshme në London School of Economics. Programi Për një Rilindje Shqiptare në qendër të një diskutimi mjaft të hapur. Në pyetjet e përgjigjet e shumta kryetari i PS, Edi Rama, ka folur për mënyrën se si qeveria e PS nesër do të luftojë korrupsionin. Është diskutuar në sallën e mbushur plot e përplot për një sistem të drejtë taksimi që do të vendos PS në qeverisje. Njërës prej pyetjeve se si do të jetë sistemin shëndetësor, se si socialistët mendojnë ta ofrojnë për të gjithë, pasi kushton shumë Edi Rama do të përgjigjej: Korrupsioni kushton më shumë. Ne kemi vendosur se kjo nuk është çështje parash, por është një çështje e dinjitetit të shoqërisë për të siguruar që gjithkush pavarësisht mundësive të mbulohet nga shërbimet publike. Nuk mund të pranojmë situatën sot me 1 milionë të papunë janë në pozita që smund të paguajnë marrjen e shërbimit shëndetësor pasi skanë mundësi ta paguajnë.


