E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koleksioni i përhershëm, premierë në TK

Shfaqja Vepra e Gibbons do të shfaqet të shtunën dhe të dielën në orën 20.00

Regjisori amerikan, Clarence Gilyard, aktori Mirush Kabashi dhe kasti tjetër i aktorëve, kanë dalë për herë të fundit në një konferencë shtypi përpara premierës së shfaqjes “Koleksioni i përhershëm” i Thomas Gibbons. Nesër dhe të dielën në mbrëmje, ora 20.00, Gilyard si regjisor dhe aktor, Mirush Kabashi, Ema Andrea, Fatos Sela, Tinka Kurti dhe Esmeralda Metka do të ngjiten në skenën e Teatrit Kombëtar. Ideja për realizimin e kësaj pjese në vendin tonë ka një histori rreth dyvjeçare që ka nisur me një komunikim mes Clarence Gilyard dhe aktorit Mirush Kabashi. Prej disa javësh ata punojnë me detajet, ndërsa Gilyard, përveçse konceptit regjisorial do të jetë pjesë aktive e shfaqjes. Ai do të interpretojë anglisht dhe do të subtitrohet. Regjisori shprehet i kënaqur për bashkëpunimin me aktorët, por edhe me skenografin Bashkim Zahaj dhe kostumografen Edlira Qyshka. Drama e Thomas Gibbons-it “Koleksioni i përhershëm”, përkthyer shqip nga Pirro Dollani, ka si objekt artin. është forca dhe roli që arti luan në zhvillimin e një shoqërie të shëndoshë. Gjatë 90 minutave që publiku është i mbërthyer në dramë, do të shikojë se si trajtohen çështje dhe probleme që lidhen me shoqërinë, pushtetin, vlerat, integritetin dhe frikën. “Në premierën e parë të kësaj shfaqjeje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kam kuptuar se mesazhi i veprës nuk njeh kufij gjeografikë. Kjo është një pjesë me tematikë politike, por edhe artistike. Por mbi të gjitha është një vepër që sjell kënaqësi dhe argëtim në teatër”, thotë regjisori. Kjo është premiera e katërt e sezonit artistik të Teatrit Kombëtar.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›