Shkupi mbledh shqiptarët nga të gjitha trevat
Shkupi kthehet sot në një vendgrumbullim i krerëve zyrtarë të shqiptarëve. Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, dhe ai i Kosovës, Hashim Thaçi, do të marrin pjesë në ceremoninë e posaçme për të përkujtuar Kongresin e Manastirit, ku u miratua alfabeti shqip. Në një takim të veçantë në kryeqytetin e Maqedonisë, në Shkup, do të zhvillohet Akademia Solemne për nder të Kongresit të Manastirit. Ndërkaq, kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, do të zhvillojë sot një vizitë zyrtare në Maqedoni, me ftesë të homologut të tij, Nikolla Gruevski. Dy kryeministrat do të kenë një seancë të plotë bisedimesh në pallatin qeveritar në Shkup. Pas takimit me Gruevskin, Berisha do të takohet me krerët e partive shqiptare në Maqedoni; kreun e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, dhe kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi. Kryeministri Berisha do të zhvillojë një takim edhe me homologun e tij të Kosovës.