Kushtetuta mbush 10 vjet. Imami: Ajo ka defekte
Dhjetëvjetori i hyrjes në fuqi të ligjit themeltar të shtetit shqiptar - Kushtetutës së Republikës, ka rihapur një debat jo të vogël midis ish-shkruesve dhe votuesve të saj, në vjeshtën e vitit 1998. Ka qenë ish-bashkëkryetari i Komisionit për Hartimin e Kushtetutës, Arben Imami, i cili, në një fjalim në një debat publik, përgjithësisht evidentoi ato që ai i quajti problemet më të mëdha të kësaj Kushtetute dhe ligjeve apo mënyrës së zbatimit të saj. Ai u shpreh kritik ndaj punës së Gjykatës Kushtetuese, ligjit organik të saj, si dhe u pozicionua hapur pro idesë së dy Dhomave të Parlamentit, asaj të Deputetëve dhe Senatit. Ndërkaq, një nga ish-hartuesit e saj, Kristaq Traja, ish-gjyqtar i Gjykatës Evropiane të Strasburgut tha se "ndryshimet e fundit kushtetuese nuk ishin të diktuara nga nevoja zhvillimi" dhe se "aktiviteti institucional është i përqendruar në një mënyrë paksa të ekzagjeruar në të ashtuquajturin ‘hartim ligjesh‘". Pandeli Majko, ish-kryeministër i qeverisë gjatë së cilës u miratua Kushtetuta, por edhe ish-anëtar i Komisionit të Posaçëm, theksoi se në ligjin themeltar të shtetit, u la i fortë posti i Kryeministrit, për të shmangur përvojat e kaluara,kur kreu i shtetit mund të zaptonte pushtetet e tjera. Skënder Gjinushi, ish-kryetar i Kuvendit, trajtoi kuadrin kushtetues për zgjedhjet dhe evoluimin e tij. Ai vlerësoi sistemin aktual zgjedhor, ndërsa konsideroi si "të vdekur të virgjër" sistemin e parashikuar nga Kushtetuta në vitin 1998. Sipas tij, ai nuk pati kohë të zbatohej dhe u shmang qëllimisht prej politikës. Perikli Zaharia, anëtar i Gjykatës së Lartë, u shpreh pro idesë së reduktimit të imunitetit për deputetët dhe gjyqtarët. Dhjetë vjet më parë, më 28 nëntor 1998, hyri në fuqi e para Kushtetutë demokratike e Shqipërisë. Ajo mbylli përpjekjet e nisura që nga fillimi i tranzicionit dhe gjithë procesin e reformimit kushtetues në Evropën Lindore në kuptimin se ishte Kushtetuta e fundit e miratuar sipas standardeve demokratike.