E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i shtetit: Të shmanget "lufta vrasëse"

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në fjalimin që mbajti në Samitin e Ohrit, bëri thirrje që duhet një përpjekje e përbashkët rajonale për të përballuar efektet e krizës.

Në fjalën e tij para homologëve të vendeve të Evropës Juglindore, Topi theksoi se "vendet tona nuk do të mund të jenë në gjendje të ecin përpara drejt rritjes së konkurrueshmërinë së tyre pa ridimensionuar dhe harmonizuar më parë interesat që nxisin tejkalimin e nivelit të tanishëm të kooperimit ndërmjet tyre, me qëllim që ekonomia e çdo vendi të ketë fushë më të gjerë veprimi që ia bën të mundur t‘i rezistojë këtij shock-u ekonomik që po kalon bota mbarë". Më tej, theksoi se "në marrëdhëniet tona ekonomike ende kemi pengesa, që frenojnë zhvillimin e tregtisë së lirë, që nuk ua bëjnë të mundur bizneseve të vendeve tona të arrijnë maksimizimin e fitimeve të tyre, sepse konkurrenca si faktor kyç që influencon çdo ditë mbi jetën e njerëzve të rajonit tonë, nuk funksionon siç duhet". Kreu i shtetit shqiptar bëri thirrje për mënjanimin e asaj që ai e quajti një "luftë vrasëse" të ofertave, të cilat u influencuan nga diferencat e krijuara nga çmimi dhe pozicioni monopol i infrastrukturës fizike të energjisë elektrike, ndërtimi i së cilës për disa vende kërkon shumë para dhe kohë. Duke u ndalur pak tek ekonomia shqiptare, Presidenti Topi deklaroi se "vitet e fundit, Shqipëria ka vuajtur nga furnizimi i pasigurt me energji elektrike që ndikoi në rritjen ekonomike, sidomos në thatësirën e gjatë të 2007-ës, kur çmimet e produkteve energjetike u rritën dukshëm dhe ekonomia e vendit u përball me rritjen e kostove, me frenimin e rritjes së prodhimit dhe atë të rrjedhës së investimeve të huaja direkte". Kreu i shtetit u shpreh se, pavarësisht presionit që po shkakton kriza ndërkombëtare e energjisë, Shqipëria po investon në ndërtimin e linjës së interkonjeksionit me Malin e Zi, ndërkohë që për një gjë të tillë me Maqedoninë ekziston thjesht një ide. Në vitin 2009, Shqipëria, u shpreh Topi, do të investojë për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit me Kosovën, me këtë realitet tashmë jo vetëm politik, por edhe ekonomik.

Kosova

Duke u ndalur te zhvillimet që erdhën nga lindja e shtetit të ri të Kosovës, Presidenti Topi tha se Kosova ka nevojë të inkurajohet, duke u bërë pjesë e nismave dhe takimeve rajonale, ku diskutohet për bashkëpunim rajonal, politik, ekonomik apo tregtar. Autoritetet e Kosovës, shtoi Topi, po përpiqen me të gjithë seriozitetin e duhur dhe angazhimin civil të zbatojnë paketën ligjore "Ahtisari" dhe Kushtetutën e tyre të re, e ndërtuar me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, sipas standardeve më të larta të respektit të individit, pavarësisht prejardhjes së tij etnike apo fetare.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›