E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, takime me ambasadorët e Malit të Zi dhe Egjiptit

17-10-2012 / Gazeta 55

“Vlerësojmë bashkëpunimin me institucionet homologe”


Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, priti dje në takime të veçanta Ambasadorin e Malit të Zi në Tiranë, Ferhat Dinosha dhe atë të Egjiptit, Ahmed H. Abdellah. Gjatë takimit me ambasadorin e Malit të Zi ministri Noka nënvizoi marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve dhe institucioneve homologe. “Gjej rastin të shpreh konsideratën dhe falënderimet për ndihmën që na dhatë gjatë periudhës së verës për fikjen e zjarreve nga ajri, edhe pse Mali i Zi ishte në një moment më të vështirë se ne, sa i takon vatrave të zjarrit”, u shpreh Noka. Duke vlerësuar hapat e rëndësishëm në bashkëpunimin ndërkufitar dhe atë policor në tërësi, ministri Noka theksoi se ky bashkëpunim, “jo vetëm ka ndikuar shumë pozitivisht në luftën kundër krimit në tërësi, por mbi të gjitha për forcimin e rendit dhe sigurisë në të dy vendet. Për më tepër, kjo klimë kaq pozitive në marrëdhëniet dhe bashkëveprimin dypalësh është një tjetër faktor për sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe tregues i qartë për rolin e rëndësishëm që kanë vendet tona në këtë aspekt”. Ndërsa gjatë takimit me ambasadorin e Egjiptit në Tiranë, Ahmed H. Abdellah, ministri Noka, pasi i uroi suksese në detyrën e tij, i shprehu vlerësimin më të lartë për bashkëpunimin dypalësh dhe për marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve. “Bashkëpunimi dypalësh, e kryesisht ai në fushën e trajnimeve, ka qenë shumë frytdhënës për ekspertët tanë”, nënvizoi ndër të tjera Ministri Noka. Ndërkohë, ambasadori Abdellah, duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm mes strukturave homologe, nënvizoi edhe faktin se mes dy vendeve ekziston një miqësi shumë e vjetër, tradicionale, e cila reflekton edhe në bashkëpunimin aktual.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›