Shpejt në shtëpi Herri
Princi Herri
Pak kohë pas publikimit të lajmit se princ Herri ndodhej në Afganistan bashkë me trupat britanike, familja mbretërore ka urdhëruar kthimin e tij në shtëpi.
Pak kohë pas publikimit të lajmit se princ Herri ndodhej në Afganistan bashkë me trupat britanike, familja mbretërore ka urdhëruar kthimin e tij në shtëpi. Vendimi u bë zyrtar nga ministria britanike e mbrojtjes, me arsyetimin se publikimi në mas-media e bëjnë të pamundur qëndrimin e djalit të dytë të Dianës dhe Karlit në “zonën e nxehtë”. Jo vetëm për ti evituar rreziqet ndaj jetës së tij, pasi Herri ndodhet në territorin afgan që nga 14 dhjetori i vitit të kaluar, por edhe për kolegët e tij ushtar. “Më në fund pata mundësinë të jem një ushtar i vërtet, ashtu siç dëshiroja që kur u futa në akademi”-ka thënë Herri për mediat britanike pas publikimit të lajmit mbi prezencën e tij në Afganistan. Princi ndodhej bashkë me regjimentin britanik "Blues and Royals", në provincën e Helmandit që nga dhjetori i kaluar dhe vetëm pak ditë më parë ushtria e konfirmoi lajmin. Vetë ai ka pranuar se urdhri për të shkuar në Afganistan i kishte ardhur nga vetë gjyshja e tij, mbretëresha Elisabeta e dytë. “Ishte ajo që ma tha vetë, dhe ishte dakord që unë të nisesha. Mendoj se tani do të jetë e kënaqur për faktin që unë pata mundësinë që të bëja atë që dëshiroja vërtët”-ka thënë 23 vjeçari Herri. Ai ka hedhur poshtë zërat në media se dëshironte të jepte dorëheqjen nga forcat e armatosura britanike pas zhgënjimit që nuk mundi të shkojë dot në Irak. “Nuk do të përdorja fjalën largim. Ishte më shumë ndjesia që nëse shkaktoja kaq shumë vështirësi, më mirë të dilja mënjanë për të mirën time dhe për atë të të tjerëve”- është shprehur princi, i treti në rradhë për fronin e Britanisë së Madhe. Për të Afganstani ishte me të vërtet vendi ku donte të shkonte, edhe më shumë se Irakun. Në një intervistë të publikuar në muajin janar, ai rrëfeu mbi ditët e tij të para në front, ku tregonte se si kishte kaluar Krishtlindjet nën shoqërinë e regjimentit nepalz në gërmadhat e një shkolle dhe nën të ftohtin acar. “Ishte e çuditshme, ndodhesha aty dhe nuk kisha bërë dush prej 4 ditësh, nuk kisha ndërruar rrobat prej një jave e megjithatë gjithçka më dukej krejt normale”-ka thënë Herri. Gjatë qëndrimit në Afganistan, ai pati mundësinë të manovrojë edhe një mitraloz ndërsa regjimenti i tij u përball me talebanët që sulmuan vendodhjen e britanikëve. Herri është i dyti anëtar nga Familja Mbretërore që merr pjesë në luftime, pas xhaxhait të tij Endrju, i cili ishte pilot helikopteri në operacionet në Falkland.