Basha në Komisionin e Sigurisë: “Shqipëria ka plotësuar kushtet për heqjen e vizave”
Ministri i Punëve të Brendshme, Lulëzim Basha raportoi dje në Komisionin e Sigurisë Kombëtare se Shqipëria i ka plotësuar tashmë të tëra kushtet për liberalizimin e vizave. Deputetët e opozitës e morën në pyetje Bashën për gjendjen e sigurisë në vend, që sipas tyre situata është alarmante. Ndonëse kryetari i Komisionit, Leonard Demi kërkoi që të mos dilej nga rendi i ditës, ministri iu përgjigj pyetjeve duke marrë në mbrojtje policinë. Sipas ministrit Basha, nuk duhet paragjykuar asnjë veprim i Policisë së Shtetit sa kohë nuk kanë dalë rezultatet zyrtare të hetimit për ngjarjet e caktuara. Dhe kjo sipas tij, është e vlefshme për rastet e zhdukjes së personave, vrasjeve, etj. Po ashtu, ministri lavdëroi edhe punën e Policisë së Shtetit në luftën kundër narko-trafikut, ku sipas tij krahas moratoriumit të skafeve ka luajtur një rol edhe qendra ndërinstitucionale operacionale në Durrës, që kontrollon me teknologji moderne trafikun detar.
21 Korrik 2010