E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkurtohet fondi për pacientët e hemodializës

16/08/2010 Pacientët me insuficencë renale që trajtohen në repartin e dializës pranë spitalit rajonal të Shkodrës kërkojnë ndërhyrjen e Ministrisë së Shëndetësisë për përkujdesje dhe trajtim më të mirë ndaj tyre, duke filluar që me trasportin me autoambulancë, te dorezat e shiringat e deri te medikamentet. Vetëm pak ditë më parë të sëmurët që trajtohen në reparetrin e dializës zhvilluan një protestë të shkurtër për të ndikuar në përmirësimin e kushteve të trajtimit të tyre, por deri tani nuk ka pasur asnjë reagim serioz. Sipas vetë pacientëve, reagimi i tyre lidhet me faktin se ata janë të detyruar të blejnë jo vetëm ilaçet, por dhe dorezat e shiringat. Në mjaft raste është vënë re se për mungesë të dorezave ato përdoren edhe dy-tri herë. Ndërkohë pacientët e hemodializës kërkojnë me ngulm rikthimin e shërbimit të autoambulancave, që më përpara i merrnin nga shtëpia për t’i dërguar në spital dhe anasjelltas. Me shkurtimin e një numri autoambulancash tashmë këta pacientë janë të detyruar të paguajnë taksi për transportin e tyre në ditët që mjekohen. “Nuk mjaftojnë dorezat, shiringat e ilaçet që duhen blerë, por tashmë duhen paguar dhe taksistët. Kjo situatë ndodh kur dihet se shumica e pacientëve janë në kushte të vështira ekonomike dhe pjesa më e madhe e tyre jeton në zona malore larg spitalit të Shkodrës”, - shprehen pacientët që trajtohen me hemodializë. Ndërkohë një pjesë e pacientëve që janë më rëndë e kanë të detyrueshëm këtë shërbim mjekësor edhe çdo ditë. Tashmë të sëmurët që trajtohen me hemodializë shprehen se përballimi financiar po behët i pamundur, pasi të gjitha së bashku me jetesën duhet të përballohen vetëm me KEMP-in prej 16 mijë lekësh në muaj. Duke qenë përpara një situate të tillë, 40 pacientët që trajtohen në repartin e dializës në spitalin rajonal të Shkodrës kërkojnë ndërhyrjen e Ministrisë së Shëndetësisë për zgjidhjen e menjëhershme të probleme të tyre, pasi me të vërtetë tashmë ato janë bërë të papërballueshme, madje dhe kërcënuese për jetën e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›