Shmangën shërbimin ushtarak, mobilizim-rekrutimi çon për hetim 140 të rinj

Ndjekje penale për 140 të rinj që i janë shmangur qëllimisht detyrimit ushtarak. deri këtu kanë mbërritur raportet mes degës së mobilizim rekrutimit në Fier dhe 140 të rinjve nga Fieri, të cilët ose kanë refuzuar kryerjen e shërbimit ushtarak të detyruar, ose kanë dezertuar nga radhët e ushtrisë. Edhe pse ky fundvit i hap dritën jeshile ushtrisë profesioniste, sërish duket se disa do të mbeten peng të ligjit të vjetër.
Gjithsesi, numri i të ndjekurve penalisht bëhet i ditur nga kreu i mobilizim-rekrutimit në Fier, Ibrahim Hasani, sipas të cilit personat e përfshirë në këtë listë janë sjellë në kundërshtim me ligjin duke mos iu përgjigjur thirrjes për ushtri, megjithëse kërkesa dhe fletëthirrja u ka shkuar disa herë në familje.Të paktën 140 persona në rang qarku i janë dhënë Prokurorisë Ushtarake në Vlorë për ndjekje penale, për shkak të veprës penale të refuzimit dhe dezertimit të ushtrisë. Ne nuk kemi asnjë të dhënë se si do të veprohet me këta të rinj, kur dihet që tashmë po vijmë drejt ushtrisë profesioniste dhe kërkohen djem me arsim të mesëm, djem me përkushtim për detyrën dhe me aftësi të plota shëndetësore, por tashmë ky është ligji dhe këta të rinj kanë vepruar në kundërshtim me ligjin, ka vijuar shefi i ushtrisë në Fier, Hasani. Këta të rinj janë akumuluar si numër qysh nga muaji janar i këtij viti e në vazhdim, ndërsa vetëm rreth 10% i përkasin veprës penale të dezertimit. Ndërkohë, sipas vetë shefit të mobilizimit ushtarak në Fier, Ibrahim Hasani tashmë ka nisur mobilizimi i ushtarëve të rinj për në Gardën e Republikës dhe pikërisht për këtë të fundit ndjehet dëshira e të rinjve për tu inkuadruar në këto forca, pasi për shumë të rinj mes dëshirës ekziston edhe interesi monetar që ofron ky shërbim. Gjithsesi duket se për këta të rinj të përfshirë në këtë listë, emri i të cilëve figuron si pjesë e një vepre penale, nuk kanë tjetër shans vetëm të shlyejnë këtë vepër me burg ose të paguajnë tarifën e shërbimit të detyrueshëm ushtarak me një shumë prej 300 mijë lekësh. Dalja e ligjit për shërbimin ushtarak ka bërë që shumë të rinj dhe familjarë të tyre ta keqintepretojnë atë duke menduar se ushtria do të falej dhe do të kishte vetëm ushtri me pagesë. Ky interesim duket se ka bërë viktimë shumë familje të cilat janë të detyruara që sipas rastit të paraqiten përpara togave të zeza dhe të presin një vendim të gjykatës. Sipas burimeve nga dega ushtarake tashmë po lihen mënjanë fletëthirrje të tjera për ushtarë në shërbim të detyrueshëm dhe po propagandohet për të rekrutuar djem dhe vajza me arsim të mesëm dhe të dhëna të mira fizike, të cilët do të paguhen për shërbimin që do të kryejnë. Të rinjtë që kanë mbushur moshën e kryerjes së shërbimit të detyruar ushtarak, prej vitesh hezitojnë të ndërmarrin një iniciativë të tillë, apo më keq akoma të paraqiten me dëshirë pranë degës së rekrutim-mobilizimit. Vetëm gjatë fundit të vitit 2008, në rrethe të ndryshme të vendit u shënuan disa incidente me të rinj, të cilët teksa nuk pranonin të kryenin shërbimin ushtarak, merreshin me forcë nga shërbimet ushtarake dhe ato policore.
Last Updated on Saturday, 13 June 2009 11:50
Last Updated on Saturday, 13 June 2009 11:50