E Diel, 1 Nëntor 2026

"Reportazh" Kur do ti kthehen sërish vlerat turistike Shirokës...?!

Një nga perlat turistike dhe klimaterike të Shkodrës, por edhe në rang kombëtar e njohur që në shekullin e 19-të për aftësitë kurative edhe në Europë, quhet Shirokë. Janë disa personazhe dhe emra të lartë që përmendin fshatin Shirokë, por që në vitet 1880 dhe më këndej nuk e trajton askush më si një fshat, por si një lagje të qytetit të madh verior. Në Shirokë, sot është një popullsi e vogël autoktone por dhe disi jashtë qytetit. Me të vërtetë që jeta aty dhe në Zogaj është më e mirë se sa në Shkodër për nga ajri dhe natyra, por ama niveli jetësor është tepër i ulët në mënyrë të çuditshme, për liqenin më të madh dhe të pasur me peshk në Ballkan, afër një lumi që quhet Buna dhe disa mrekullive të tjera kurative si sherbela në Tarabosh, dhe Zogaj për pastrimin e mushkërive dhe kurës së ajrit dhe natyrës për zemrën. Aty, përveç rehabilitimit të kishës së Shën Rrokut dhe ngritjes së rreth 10 lokaleve të reja private, si dhe Qendrës së Peshkimit si aty dhe në  Zogaj, asgjë nuk ka ndryshuar me lagjen pothuaj më të bukur të Shqipërisë që ka në dispozicion një pamje madhështore të rreth 360 km katror ujë dhe maleve në formë kurore anash të një kufiri të gjatë midis Shkodrës dhe Podgoricës dhe rrethimit me shqiptarë nga ana e Krajës në Malin e Zi dhe nga ana e Koplikut dhe Bajzës. Mbas një përçudnimi prej 10 vitesh me korrent dhe dinamit në liqen, sot është kthyer disi qetësia dhe si shpendët edhe peshqit po prosperojnë në këtë mrekulli natyrore shkodrane. Tashmë ka një rrugë që të çon deri në Shirokë dhe një kalim të ngushtë rruge vetëm katër metra deri në Zogaj, por që me të vërtetë janë shumë pak, për dy qendra të jashtëzakonshme turizmi dhe pushimi. Po ashtu, është ndërtuar një ujësjellës për Shirokën dhe mund të quhet funksionant, por që gjithsesi është përsëri shumë pak. Në Zogaj gjuajnë peshk dhe merren me qilima dhe sixhade, kurse në Shirokë merren me peshkim dhe ka disa lokale që afrojnë peshk. Por asgjë më shumë. Në takim me një gazetar gjerman Otto T. Mayer, i cili kishte ardhur pikërisht për një reportazh, mësova se një mjek i madh bashkëkombës i Mayer kishte qenë aty rreth viteve 1890 në Shirokë dhe kishte arritur të studionte si natyrën dhe anën kurative të Shirokës dhe Taraboshit me sherbelën e tij. Por Mayer në reportazhin e tij të mrekullueshëm për një nga testatat e mëdha të shtetit mik perëndimor shprehte habinë se si mund të lihet pas dore një mrekulli e tillë natyrore dhe njerëzore. Duke u takuar për disa çaste me Mayer, ai më thotë se po habitet që vendi është në fushatë elektorale dhe ka tre ditë që është në Shkodër dhe nuk ka parë asnjë politikan të vijë në Shirokë dhe Zogaj për të premtuar.... asnjë!! Vërejtja e gazetarit gjerman ishte djegëse edhe për mua, megjithëse jam prej atyre personave që shkruajnë shpesh për lënien mbas dore të Shirokës dhe Zogajt.
Infrastruktura në Shirokë
Në pushimet e verës në Shirokë nuk arrijnë më shumë se 250 njerëz dhe afro 100 në Zogaj. Aty nuk ka hoteleri të mirëfilltë dhe moderne, apo lokale që të propozohen vërtetësisht si të tilla. Më shumë vijnë nga Tirana njerëz që e dinë vlerën e Shirokës se sa shkodranë dhe kjo është një humbje e madhe e qytetit. Vetëm për tavën e krapit, Shiroka është shumë shumë pak e vlerësuar. Ekzistojnë disa momente studimesh dhe fondesh për liqenin dhe shkuarjen drejt përmirësimit të tij për të qenë zonë e ruajtur dhe atraktive. Por deri më tani asgjë. Me zi ndalen gërryerjet në Tarabosh nga ana e liqenit dhe vazhdojnë nga ana e Bunës. Nuk ka lidhje me anën tjetër të kufirit dhe në Shirokë nuk ka plane zhvillimi afatgjata, dhe as afatshkurtra. Është një abandonim i çuditshëm si i pushteteve qendrore dhe lokale, por edhe i shoqatave të mjedisit dhe atyre liqenore. Është një gjendje kome për lagjen e vjetër të qytetit tashmë 140 mijë banorësh me lagjet informale që fillojnë buzë Kirit dhe mbarojnë në afërsi të Koplikut. Deri përpara tre viteve, Shiroka u trajtua si lagje Rrethina dhe kjo ishte një budallallëk me tonelata sepse konsiderohej një perlë si një mbeturinë financiare dhe atraktive. Asnjë qytet dhe shtet normal në botë, nuk mund të trajtojë kështu një perlë të tillë. Me të vërtetë që Shkodra ka shumë vende turistike. Ka Velipojën, Bogën e Thethin si dhe Drinin dhe Bunën, por ama liqeni është një diçka tjetër. Në Shirokë nuk është vënë dorë në ndriçim të rrugës, në hapjen e një pedonaleje dhe të fuqizimit të mjediseve atraktive të ujit dhe varkave dhe turizmit midis dy rajoneve kufitare. Nuk është pastruar një herë liqeni në breg, nga papastërtitë dhe nga barërat. Nuk janë ndërtuar plazhe free për banorët që mund të vijnë edhe me biçikleta. Nuk ka kosha mbeturinash përgjatë saj dhe nuk ka një administrim lokal normal. Por sot Shiroka është lagje e qytetit dhe ka për Kryebashkiak, zotin Lorenc Luka. Ashtu sikundër zoti Luka është treguar i ndjeshëm për qytetin dhe lyerjen e fasadave apo ngritjen e mijëra metrave trotuare apo edhe me shtrimin e mijëra metra rrugë me taksat e shkodranëve, ashtu duhet të shkohet edhe në drejtim të Shirokës. Kryebashkiaku Luka është padyshim me i suksesshmi dhe që ka bërë të mundur disa projekte të mëdha si dy pedonalet njëra në qendër të Shkodrës në rrugën ish 13 Dhjetori dhe tjetra në pontilin e liqenit dhe daljes së Bunës. Po ashtu nën administratën Luka është bërë një punë e shkëlqyer kulturore të qindra aktiviteteve dhe marrjes së statusit Teatër Rajonal të Migjenit. Luka ka bërë të mundur stabilizimin e shumë rrugëve dhe rrugicave, apo edhe të rregullimit me lule dhe lulishte të disa qendrave të qytetit. Patjetër që duhet të kthehet shikimi edhe nga Shiroka!! Ajo duhet trajtuar si lagje e rëndësishme dhe turistike kulturore e Shkodrës. Ndoshta për këtë duhet edhe një studim dhe plan rregullues dhe ndoshta edhe Shiroka duhej të ishte në premtimet elektorale si të PD-së, e cila natyrisht duke qenë në pushtet, ka dhjetëfishuar fondet në Shkodër, por edhe të PS-së, e cila ka dhënë dikur fondet për rrugën e aktuale të Shirokës. Një mosvëmendje e tillë për liqenin dhe Shirokës është e habitshme. Aty ku mund të pushojnë dhe argëtohen (po të ketë vëmendjen e duhur si pushteti lokal dhe ai qendror) rreth 100.000 njerëz, sot nuk shikon më shumë se 1000 në ditët e pikut dhe kjo është një fatkeqësi. Imagjinohet thjeshtë se çfarë do të kishte bërë Tirana, po të kishte liqenin e Shkodrës dhe Shirokën. Imagjinohet shumë lehtë. Patjetër që aty do të ishte jeta dhe aty edhe i gjithë biznesi i lokaleve, restoranteve, të argëtimit e ngrënies dhe qejfit në përgjithësi, por edhe kulturës dhe modës pa harruar skafet dhe varkat në liqenin e madh. Më të madh se sa Tirana si sipërfaqe ose pothuaj po aq sa ajo. Shkodra e ka dhe me shumicë, dhe nuk i përdor...! Kjo është e pa falshme. Krejtësisht e pafalshme deri në krim, po të kujtojmë se çfarë pasurie ka qyteti, i cili nuk shfrytëzon resurset e tij të shumtë.

*************************************
Shiroka e dikurshme
Kush e kujton Shirokën e viteve të mëparshme, ka nostalgjinë e një prej plazheve më në zë të Shkodrës, aty ku gjatë stinës së verës vërshonin me qindra e mijëra pushues ditorë, ndërkohë që shumë të tjera qëndronin të sistemuar me kabina, hotele e shtëpi private që ofroheshin për pushuesit afatgjatë. Përpos miniplazheve që prej kthesës së Urës së Bunës, e përgjatë vijës së bregut të liqenit të Shkodrës, qendra e Shirokës ishte zona më e lakmuar e këtij plazhi, e cila me një hapësirë të madhe sistemonte një numër shumë të madh plazhistësh, mes tyre edhe kampin e fëmijëve, që kishte për rezidencë ish vilën e Zogut. Një kënaqësi tjetër e asaj periudhe ishte edhe udhëtimi me traget dhe motobarka të tjera nga Ura e Bunës për në Shirokë, e cila i jepte një tjetër larmi pushimeve në Shirokë. Periudha e tranzicionit, me dëmtimet që pësoi pika turistike e Shirokës, e së bashku me të edhe plazhi, bënë që frekuentuesit e saj të largoheshin çdo ditë e më shumë.

**************************************************
Mrekullitë natyrore të Zogajt  
Vetëm 12 kilometra larg qendrës së qytetit të Shkodrës, Zogaj ka një plazh të mrekullueshëm që laget nga uji i liqenit të Shkodrës. Relievi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›