PD e Vlorës hedh poshtë pretendimet e Bashkisë për rrugën Transballkanike
Në përgjigje të akuzave të bashkisë Vlorë për mbarimin vetëm të 60% të rrugës Transballkanike, ka reaguar dega e PD-së në këtë qytet, ku sipas saj shpjegohen sulmet që i bëhen arritjeve të pamohueshme katërvjeçare të kësaj qeverisjeje. Nëpërmjet nënkryetarit të saj Vilson Haxhiraj, Partia Demokratike akuzon edhe socialistët që për vite të tëra kanë gënjyer qytetarët vlonjatë me gënjeshtrat e tyre ndërkohë që në këta 4 vjet të drejtimit të PD-së, nuk kanë munguar investimet në këtë qytet.
Denoncojmë gënjeshtrat, mohimin, nihilizmin dhe mbrapshtësinë, që ka përfshirë socialistët dhe instrumentet e tyre politik, gjithë administratën e bashkisë së Vlorës. Në shoë mediatik, kandidatë për deputetë, drejtues së institucionit të bashkisë dhe të tjera leva të vendorit, proklamojnë si gjoja të shqetësuar për Vlorën, ka theksuar ai, duke theksuar se ata dalin për të bërë fushatë. Gjithashtu, Haxhiaj duke hedhur poshtë deklaratat e bëra një ditë më parë ka theksuar se projekti i pakundërshtueshëm madhor i Vlorës, rruga Transballkanike, ku socialistët prenë për vite me radhë shirita, iu dha Vlorës si një autostradë evropiane nga qeveria Berisha e PD. Masakra reale që socialistët duhet të kenë kurajë të flasin është përgjigja e pyetjes: Po ne çbëmë për Vlorën në 8 vjet?! Vet-ndërgjegjësimi është masakër për socialistët, ndaj zvarriten në akuza pa baza, nënvizoi ai. Sipas Haxhiraj, duhen fshirë njëherë e përgjithmonë nga politika shqiptare dëshmitë që i hapin rrugë shpifjeve e shtrembërimeve. I bëj thirrje drejtorit të Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, që fushatën për bashkëshorten mos ta bëjë duke u vënë në kërkim të pusetës, të cilën ai harron se prej 6 vjetësh e ka në juridiksion, dhe tashmë në vazhdën e fushatës së zezë për socialistët, ai solidarizohet dhe ngrihet e flet edhe për pusetë që gjoja i bllokoi PD-ja, theksoi nënkryetari i PD-së dega Vlorë. Ndaj sipas tij, vota e 28 qershorit, ashtu si krejt qytetërimi shqiptar, do të japë fundin e merituar këtyre vulgarëve politik të anti-shqiptarizmit, anti-vlerave e anti-zhvillimit. Duke akuzuar kundërshtarët socialist, Haxhiraj ka theksuar se ata i përkasin veprimeve të turpshme, ku asnjë vend, sadopak dinjitoz, nuk do t'i lejonte kurrsesi të vijojnë rrugën e tyre për të penguar ëndrrën evropiane dhe të ardhmen. Vota e vlonjatëve dhe vota e gjithë shqiptarëve nuk do ta lejojë kurrsesi këtë. Këta endacakë të huaj të Partisë Socialiste, ata që s'i njeh kush e nuk i pyet kush, një herë e përgjithmonë do të dalin nga skena politike me votën e 28 qershorit. Partia Demokratike ka qenë dhe mbetet parti e vlerave dhe kujtesës, nënvizoi nënkryetari i PD-së, Vlorë. Ndër të tjera ai shtoi se besimi i qytetarëve, veprat dhe arritjet 4- vjeçare të qeverisë Berisha janë vlerat kryesore në programin elektoral të djathtë, të cilat do të vijojnë të zbatohen në mandatin e dytë qeverisës, nëse maxhoranca e djathtë fiton zgjedhjet e 28 qershorit.