Shmangu sherrin, plagoset polici special
Polici Artan Metuku ndërhyri për të ndihmuar dy vajza në konflikt, plagoset pak orë më vonë
TIRANË- Një sherr banal për pak i ka kushtuar jetën një polici special, ndërsa është shpallur në kërkim autori. Ngjarja ka ndodhur mbrëmë në rrugën “Babë Rexha” në Tiranë, kur Ardian Bregasi akuzohet se ka qëlluar me armë në drejtim të 35-vjeçarit Artan Metuku, me detyrë polic i repartit special 712. Në vendin e ngjarjes mbërritën forcat e policisë për të identifikuar dhe kapur autorin si dhe për të zbuluar rrethanat e plagosjes. Polici u transportua me urgjencë në spitalin ushtarak, nga ku mësohet se ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Burime nga policia thanë që dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një grindjeje për motive të dobëta mes autorit dhe policit. Ardian Bregasi, i cili dyshohet si autori kryesor i ngjarjes mundi t’i shpëtonte policisë, ndërsa kjo e fundit ka shoqëruar kunatin e tij, i cili dyshohet të jetë bashkëpunëtor në këtë plagosje.
Ngjarja
Mesditën e djeshme, Ardian Bregasi bashkë me kunatin e tij, Ervis Belba dyshohet se kanë qenë duke debatuar me dy vajza pranë banesës së tyre, në rrugën “Babë Rexha” në Tiranë. Sipas dëshmitarëve, polici i repartit special nr.712, Artan Metuku, i cili banon vetëm pak metra më larg, është afruar për të ndihmuar vajzat. Ai ka ndërhyrë për të neutralizuar sherrin, gjë e cila i ka kushtuar shtrenjtë disa orë më vonë. Rreth orës 19:45 të mbrëmjes, Metuku ndodhej në një lokal në lagje në ambientet e së cilit ka mbërritur Bregasi bashkë me mikun e tij. Bregasi dyshohet se i ka kërkuar llogari policit për ndërhyrjen në mesditë. Mes dy palëve ka nisur një debat me fjalë fyese duke përfunduar me përdorimin e armëve. Ardian Bregasi dyshohet se ka shkuar në banesën e tij dhe më pas është kthyer me një armë duke qëlluar në drejtim të policit, i cili mbeti i plagosur. Dëshmitarët e ngjarjes lajmëruan menjëherë policinë ndërsa i plagosuri u transportua në spitalin ushtarak.
Policia
Forca të shumta të komisariatit të policisë nr.2, mbërritën të parët në vendin e ngjarjes për të identifikuar dhe kapur autorin. Burime nga policia thanë se autori i dyshuar Ardian Bregasi kishte mundur të largohej menjëherë pas ngjarjes, duke iu shpëtuar prangave të policisë. Ndërsa kjo e fundit ka kryer shoqërimin e kunatit të Bregasit, i cili dyshohet të jetë bashkëpunëtori i tij. Në vendin e ngjarjes mbërritën edhe oficerët e zyrës së vrasjes si dhe drejtori i policisë së Tiranës, Muhamet Rrumbullaku, për të hetuar shkaqet e kësaj ngjarjeje, ku mbeti i plagosur një efektiv policie. Burime nga policia thanë se nga hetimet e para dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një sherri të nisur për motive të dobëta mes autorit dhe të dëmtuarit. “Polici Artan Metuku ka ndërhyrë për të mbyllur një sherr, por pak orë më pas, njëra palë është acaruar me policin duke e rinisur debatin dhe më pas ka përdorur armën e zjarrit. Megjithatë, policia po vazhdon hetimet për të zbardhur me saktësi motivin e ngjarjes, ndërsa pritet dhe përmirësimi i shëndetit të të plagosurit për të marrë dëshminë e tij”- thanë burimet zyrtare të policisë së Tiranës. Deri në orët e vona të mbrëmjes policia nuk ka bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar ndërsa sqaroi se forca të shumta policie janë angazhuar për arrestimin e tij.