E Diel, 1 Nëntor 2026

Policët në reformë, në garë për 200 vende pune

Rreth 200 vende pune, vakante nga ligji për gradat. Kanë të drejtë të konkurrojnë të gjithë ata që janë larguar me dëshirë

TIRANË- Policia e Shtetit u jep shans policëve të larguar nga reforma të jenë sërish në radhët e saj. Zbatimi i ligjit të ri për gradat e policisë së shtetit ka shkaktuar mbetjen vakante të 200 vendeve të punës,duke detyruar dikasterin blu të rikthejë sërish në punë të reformuarit. Kështu, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka bërë të ditur ditën e djeshme se të gjithë punonjësit e policisë të cilët u detyruan të dorëzojnë uniformën në “emër” të reformës, që janë larguar nga radhët e policisë me dëshirën e tyre, mund të rikthehen sërish. Duke filluar nga dita e sotme, ish-policët mund të aplikojnë pranë drejtorive të policisë së qarqeve ku kanë vendbanimin për t’u ripranuar në funksionet e lira organike.

Konkursi

Burime nga drejtoria e përgjithshme e policisë së shtetit thanë se janë rreth 200 funksione të lira organike, gjë e cila u konkludua pas implementimit të ligjit të ri për gradat e reja të policisë së shtetit. Dy vitet e fundit, për shkak të reformës, u liruan nga detyra rreth 1800 punonjës të policisë. Por tashmë këta të fundit kanë të drejtën të aplikojnë për t’u rikthyer sërish në vendet e punës. Ata do t’i nënshtrohen një konkursi dhe nëse janë fitues, do të jenë sërish me uniformën blu. “Të gjithë ish-policët mund të aplikojnë në drejtoritë e policisë së qarqeve ku kanë vendbanimin. Vende të lira ka në të gjitha drejtoritëe qarqeve. Kështu, nëse në policinë e Tiranës janë rreth 30 vende të lira dhe aplikojnë më shumë ish-punonjës policie, atëherë ata do të konkurrojnë dhe vetëm 30 prej tyre do të shpallen fitues”- thanë për “Shekullin” burimet policore. Të njëjtat burime thanë se policisë së shtetit i duhen policë bazë si dhe oficerë. Kështu aplikantët do të konkurrojnë në bazë të kritereve që paraqesin për polic bazë, inspektor, kryeinspektor, apo edhe nënkomisarë.

Kushtet

Për të zënë funksionet e lira në policinë e shtetit aplikime kanë të drejtë të bëjnë ish- punonjësit e policisë që janë larguar nga policia me motivacionin “Për shkurtim të funksionit organik” ose “Me kërkesën e tyre”. Ish-punonjësit e policisë të cilët janë përjashtuar nga detyra për shkelje të ndryshme nuk do të jenë të favorizuar të rikthehen sërish, duke mos pasur të drejtën të aplikojnë për të konkurruar. Ndërkohë që ish-policët e interesuar për t’u rikthyer sërish në detyrë, duhet të paraqiten pranë drejtorive të policisë së qarqeve dhe të dorëzojnë një certifikatë, vërtetim nga prokuroria, si dhe një librezë pune për të paraqitur detyrën e kryer prej tyre pas largimit nga policia me qëllim që të përllogaritet vjetërsia e punës. Burimet policore thanë dje se ish-efektivat blu mund të paraqiten për të dorëzuar dokumentet e drejtorisë së policive pranë vendbanimit të tyre duke filluar nga dita e sotme. Më pas ata do të njoftohen për procedurat e mëtejshme që duhet të ndjekin për të provuar “shansin” e rikthimit në punë.

Dokumentet

Një certifikatë

Një vërtetim prokurorie

Librezë pune për detyrën e kryer pas lirimit nga policia e shtetit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›