E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoferët e furgonëve taksi, protestë kundër piratëve

Kukës Shtimi i lëvizjeve në zonë ka riaktivizuar taksistët e licencuar

Shoferët e furgonëve taksi të qytetit të Kukësit kanë protestuar dje përpara bashkisë kundër transportit të palicencuar të udhëtarëve. Sipas tyre, bashkia duhet të ndërhyjë sa më parë për bllokimin e tyre dhe të mos i favorizojë. Në agjencinë e udhëtarëve të Kukësit gjen me dhjetëra automjete jo taksi që marrin pasagjerë në linjën e Tiranës, ndonëse nuk kanë licencë. Duke vepruar në mënyrë pirate, ata ulin edhe çmimin e udhëtimit duke falimentuar furgonët taksi dhe mjetet e tjera të transportit publik. Në këto kushte, shoferët u janë ankuar drejtuesve të bashkisë, Drejtorisë së Policisë dhe institucioneve të tjera duke kërkuar respektimin e ligjit dhe si rezultat mbrojtjen e punës së tyre nga abuzimet e taksive pirate. “Në datën 3 mars 2010 i kemi dërguar letër kryetarit të bashkisë, këshillit të bashkisë, prefektit, drejtorit të policisë së qarkut dhe nuk kemi marrë prej tyre asnjë përgjigje”, thotë Bajram Gjana, një nga organizatorët e protestës. Më tej ai rrëfen se bashkia përfiton nga taksat e tyre deri në 2 milionë e 400 mijë lekë në vit. Dje ata janë pritur nga nënkryetarja e bashkisë, Alketa Cena, e cila u ka siguruar se do të bashkëpunohet më intensivisht me policinë për të disiplinuar më në fund transportin e udhëtarëve. Por me të gjitha premtimet e marra, shoferët thonë se nuk do të pushojnë së protestuar deri në zgjidhjen e çështjes.
Problemi i taksive pirate ka vite që ekziston në Kukës dhe pavarësisht protestave të herëpashershme të shoferëve që i paguajnë taksën e duhur shtetit dhe pushtetit vendor, për t’i ndihmuar ata nuk është marrë asnjë masë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›