Shoferi i PS-së mburret se ka firmosur 2 herë, recepsionistja s’kërkon as dokument identifikimi
Një ditë në selinë ylberiste, duke ndjekur procesin e mbledhjes së firmave për projektligjin e munguar të hapjes së kutive të votimit
Gjërat qesharake të kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama nuk njohin kufi. Jo vetëm kaq, por ai po sillet e vepron në një mënyrë shumë të mjeruar sa dhe të gënjeshtërt.
Nisma e cila lindi si nevojë për të ti dhënë jetë një projekt-ligji për hetimin e procesit zgjedhor po rezulton një manovër e dështuar. Partia Socialiste e cila vijon bojkotin e Kuvendit bëri të ditur se do të mbledh mbi 20 mijë firma të qytetarëve në kuadër të hapjes së kutive. Kjo do ti lejonte opozitës, e cila në mungesë të përfaqësuesve në Kuvend të propozonte projektligj me firma të qytetarëve. Por nisma e cila ka kohë që ka nisur në pikëpamjen e procedurave rezulton një farsë. Ndërsa vazhdon farsa e mbledhjes së firmave, konstatohet se çdo personi i cili firmos nuk i bëhet e ditur se për cilin projektligj bëhet fjalë të propozohet në Kuvend. Pasi në selinë e PS-së, mësohet se ende nuk ekziston një projektligj i tillë, dhe se juristët e PS janë në hartim e sipër të tij. Kushtetuta e Shqipërisë parashikon në Nenin 81 pika 1 se “Të drejtën për të propozuar ligje e ka Këshilli i Ministrave, çdo deputet, si dhe 20 mijë zgjedhës”. Një gjë e tillë përjashton mundësinë e firmosje së individëve nën moshën 18 vjeç.
Në këtë procedurë të ndjekur nga PS, nuk kërkohet asnjë dokument identifikues që pasqyron një gjë të tillë. Çdo individ mund të firmos në letër me një emër të rremë, ndërsa mund të firmosi i njëjti person edhe më shumë se një herë.
Dhe kjo gjë mund të bëhet shumë thjeshtë.
Jo më larg se dje, isha në selinë e Partisë Socialiste, dhe kërkova të firmosja në listën ku Edi Rama pretendon se mund të marrë mbështetjen e shqiptarëve. Aty kërkova formularin që të plotësoja të dhënat e mia dhe të lexoja projektligji që ata po hartojnë për këto firma. Por mu paraqit një letër e bardhë që kishte të shkruar lart, “Mbledhje e firmave për hapjen e kutive dhe transparencën e zgjedhjeve”, dhe më poshtë ishin rreth 20 emra që kishin firmosur. Këtë fletë ma paraqiti recepsionistja, e cila pas një kërkimi të gjatë mes disa zarfeve e gjeti fletën.
E pyeta përse nuk është projektligji i shkruar mbi fletën e bardhë.
Ajo u shpreh se nuk dinte gjë dhe thjeshtë i kishin lënë atë fletushkë të bardhë që mbi të cilin unë firmosa me një emër të cilin e sajova në moment “Matilda Haxhiaj Lushnje”. Në këtë “aksion” firmëmbledhës, asnjë dokument identifikues nuk mu kërkua për firmës që hodha, asnjë pyetje nuk më bërë se kush isha!
Sikur të ishte kjo, gjysma e së keqes.
Por në këto momente, kur isha duke u interesuar për firmëtarët e tjerë, vjen shoferi i selisë, i cili i pyetur nga recepsionistja në se kishte firmosur ai ju përgjigj, “po kam firmosur dy herë”.
Me këto firma Edi Rama shpreh se ka besimin se 20 mijë firma është një numër që mund të arrihet lehtësisht, apo mund të jetë arritur tashmë. Me këto firma false pretendon lidershipi i Partisë Socialiste të kërkojnë transparencë dhe hapje të kutive. Me ç’paturpësi Edi Rama do ti paraqesë në datën 20 nëntor në gjykatë për të vërtetuar se këta janë firmëtarët të cilët shprehen se u janë vjedhur votat.
Mbledhja e firmave mund të jetë dështimi i radhës së nismave ligjore të PS. Akt bazë i një nisme me firma të qytetarëve është sigurimi i saktësisë ose noterizohen për të siguruar katërçipërisht vërtetësinë e tyre. Vetëm një gjë e tillë do të mbyllte çdo shteg keqkuptimi apo keqinterpretimi mbi vërtetësinë e firmave.
Për një vijim normal të kësaj nisme gjithashtu do të nevojitet, ngritja e një stafi juristësh, të cilët monitorojnë në mënyrë shumë të përpiktë këtë pjesë mjaft të domosdoshme të procedurës.
Në rregulloren e Kuvendit në nenin 68 për propozimin e ligjeve, pika 2 thuhet se “Projektligjet duhet të jenë të hartuara në formën e një akti normativ dhe të jenë të shoqëruara me një relacion, i cili duhet të përmbajë objektivat që synohen të arrihen me miratimin e tij, argumentet se këta objektiva nuk mund të arrihen me instrumentet ligjore ekzistuese, përputhshmërinë e projektligjit me Kushtetutën, harmonizimin me legjislacionin në fuqi dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian, si dhe efektet e tij sociale dhe ekonomike”.