Gjyqe me fund të ditur
Gjithë bota e di se, dy janë gjyqet më të zhurmshëm, të dy bëhen në Hagë dhe që të dy lidhen me Serbinë: kundër Karaxhiç dhe kundër Kosovës. Ky përkim në kohë,- ndaj Karaxhiç gjyqi u hap më 26 tetor, ndaj Kosovës pritet të nis më 1 dhjetor,- mbart marrëzinë e papërfunduar serbe, sepse atje gjykohet krimineli që i shërbeu politikës së Beogradit, dhe viktima kundër së cilës Beogradi nuk shihet të ngopet. Diplomacia serbe është derdhur si vaji në lakra, në OKB, në vendet e ish-lëvizjes së paangazhuar që dikur i kryesonte Josif Broz Tito, por dhe në BE, enkas për të mbajtur të ndërkombëtarizuar vetveten si e ndëshkuar padrejtësisht dhe qëllimisht për izolimin e pavarësisë së Kosovës si një çështje vetëm serbo-ruso-europiane. Por ka ndodhur të përsëritet një spektakël tjetër politik i madh amerikan. Dhe kjo, ndërmjet dy gjyqeve, ose pak ditë përpara nisjes të gjyqit të kërkuar nga Beogradi, për dënim kolektiv të popullit të Kosovës. Shtetet e
Bashkuara folën me emrat e saj të mëdhenj: Ish-presidenti Bill Klinton ishte në Prishtinë, më 1 nëntor, i pranishëm në përurimin e shtatores së ngritur, në nderim për çka ai bëri për Kosovën. Klinton tha se “do të bëj gjithë çfarë mundet për të mbështetur deri në fund të jetës”. Pak pas tij, më 5 nëntor, Presidenti Barak Obama priti në Shtëpinë e Bardhë ambasadorin e jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të Republikës së Kosovës, në Uashington, dhe tha që “Suksesi i vazhdueshëm i Kosovës si shtet i pavarur, multietnik dhe demokratik, mbetet një nga prioritetet e mëdha të Shteteve të Bashkuara. Bota ka qenë dëshmitare e progresit të jashtëzakonshëm që ka bërë vendi i juaj në periudhën e vet të shkurtër të pavarësisë”.
Por Serbia mbyll sy e vesh, as sheh e as dëgjon. Beogradi flet për Kosovën e pavarur zi e më zi, përdor kundër saj Moskën dhe gjyqin. Mirëpo, përveç që Serbia nuk ka të drejtë, ajo nuk tregohet e mençur, nuk është kurajoze, madje shtiret mburravece me ca dalje të ministrit të jashtëm Vuk Jeremiç, a thua se zotërimi i mirë i anglishtes është edhe përmbajtje perëndimore. Beogradi bëhet cinik me akuzën kundër Kosovës, në Gjyqin Ndërkombëtar të Hagës, sepse viktimës kërkon t’i shkaktojë vuajtje të tjera. Nëse Beogradit i duhej gjyqi, pavarësia nuk është çështja e parë, pasi, e kreut fare, ishte çlirimi i Kosovës me luftën e NATO-s. Beogradi le t’i paraqiste kërkesën OKB-së për gjyq kundër NATO-s, dhe, sigurisht, ajo nuk do të kishte kaluar kurrësesi. Le të hidhte NATO-n në gjyq, dhe ai gjyq nuk do të hapej kurrë! Le të çonte në gjyq Presidentin e SHBA, sepse ai u bë udhëheqësi politik për ndaljen e ushtrisë serbe, por kjo do të mbetej vetëm dëshirë e Beogradit! Le të padisnin në gjyq kryenegociatorin e OKB-së, Marti Ahtisari si njeriu që pavarësimin e gjykoi zgjidhjen me të drejtë, që përputhej edhe me vullnetin e popullit, por Serbinë nuk do ta pyeste njeri! Le të ngrenin gjyq ndaj vullnetit të shprehur të 22 shteteve të Bashkimit Europian, që i bën pavarësisë njohje rrufe, dhe Serbia do të kishte humbur lehtësirat që po i krijohen prej tyre për heqjen e vizave dhe përshpejtimin e anëtarësimit në BE.
Të dy gjyqet janë të turpshme për Serbinë:
Gjykimi i kriminelit Radovan Karaxhiç kryhet pas 13 vjet fshehjeje të qëllimshme, jo nga mjekrra shtëllungë alla-Karl Marks, por m’u mbrapa zyrave të politikës nacionaliste të Beogradit, i cili bëri të vriten 100 000 njerëz, dhe shihet të jetë përgjegjës për masakrën e Srebrenicës dhe gjakderdhjen në Tregun e Sarajevës, enkas për krijimin e shtetit sipas përfytyrimit të Serbisë. Dhe, ky vrasës gjakftohtë, pas fshehjes tallëse serbe, tani vijon talljen me gjyqin, duke mos u paraqitur në të, gjoja se nuk qënka i përgatitur, pa lexuar 1.3 milion faqe të dokumentave që i janë parqitur gjykatës. Ai luan të shpërfillë Gjykatën, me zgjatje pa fund të gjykimit, prandaj e bojkotoi atë, duke mosdyshuar se ky është një gjyq me fund të ditur - vdekje në burg! Përbindshi Karaxhiç nuk ka si t’i shpëtojë kërkesës kolektive të Bosnjës, 11 akuzave të Gjyqit të Hagës, nga të cilat 2 për genocid dhe 9 për krime kundër njerëzimit.
Pasi makineria e urryer politiko-luftarake e Millosheviçit ndëshkoi kolektivisht popullin e Kosovës, sërish Beogradi nacionalist përpiqet demokratikisht të ndëshkojë kolektivisht popullin e martirizuar. Por edhe ky është një gjyq me fund të ditur - pavarësia jeton! Serbia u mund nga NATO. Serbia do të humbë në Hagë. Serbi nuk do të ketë kurrë më në Kosovë. Pavarësia ishte vullnet kolektiv, sepse një popull nuk mund të jetë i çliruar pa qenë edhe i lirë. Gjyqi Ndërkombëtar i Hagës nuk do të jepte drejtësi nëse ai do t’i bashkohej akuzës së Beogradit për dënimin e përsëdytur kolektiv të viktimës.
Ky kryqëzim gjyqesh pritet të jetë kryqëzimi përfundimtar i Serbisë. Zyrtarët e lartë serbë, ende nuk e kuptojnë këtë, përderisa edhe në parlamentin europian ngrenë zërin se Serbia është strategjike në gadishull. Kjo ceket prej tyre, që t’u përsërisin europianëve, të kenë vëmendje të veçuar ndaj saj, dhe t’i qartësojë ata se Serbia i detyron ta trajtojnë si vend strategjik. Kjo mbetet të shihet, pasi qysh prej 20 vjetësh, Serbia është shtet luftërash e vend prolematik, që i ka mbetur vetëm nacionalizmi agresiv, për nxjerrjen jashtëluftimi të të cilit, u desh goditja e NATO-s.
...