“Shoferi i autobusit humbi kontrollin”
Etleva Delia
Aksidenti i rëndë i ndodhur në Gjegjan pranë Fushë- Arrëzit tri ditë më parë ka pasur si shkak humbjen e kontrollit të mjetit nga drejtuesi Zef Gjergji (Marku). Grupi hetimor i policisë së shtetit dhe Prokurorisë së Pukës, i ngritur për zbardhjen e rrethanave të aksidentit tragjik të Gjegjanit, arriti në përfundimin se shkak i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit nga drejtuesi i autobusit. Hipotezat e ngritura për probleme shëndetësore të menjëhershëm që mund të ketë pësuar shoferi, janë hedhur poshtë nga raporti mjeko-ligjor (autopsia), që iu krye trupit të pajetë të Zef Frrokut. Sipas grupit hetimor, në raportin e mjekëve ligjorë, thuhet se drejtuesi i autobusit nuk ka pasur asnjë problem shëndetësor para dhe as në momentin e aksidentit. Ky fakt ka rrëzuar përfundimisht dyshimet për konsum të lëndëve alkoolike apo për gjendje gjumi nga shoferi i autobusit në momentin kur autobusi vazhdoi drejt rrugën në një kthesë të lehtë djathtas, e për rrjedhojë ra në pikiatë për 30 metra. Nga kryerja e ekspertimit auto-teknik, të autobusit me targë PU 1330 A, rezultoi se shpejtësia e lëvizjes ka qenë brenda normave të lejuara, lëvizja është kryer brenda normave të qarkullimit rrugor dhe në kahun e lejuar. Policia deklaroi dje se sistemi i drejtimit të mjetit ka funksionuar normalisht edhe në momentin kur ndodhi aksidenti. Në deklaratën për shtyp të Policisë së Shtetit, thuhet gjithashtu se nga hetimet e kryera, rezulton që drejtuesi i mjetit Zef Frroku (Gjergji), ishte i pajisur me lejen e drejtimit përkatëse dhe kishte një përvojë shumëvjeçare në drejtim. Grupi hetimor tha se nga verifikimi që është bërë në terrenin ku ndodhi aksidenti, u arrit në përfundimin se gjendja e rrugës ishte e rregullt dhe pa terren që mund të shkaktonte vështirësi në lëvizjen apo drejtimin e autobusit. Nga deklarimet që policia u ka marrë dëshmitarëve të ngjarjes, rezulton se në momentin e aksidentit nuk ka pasur automjet tjetër në rrugë çka mund të shkaktonte aksidentin. Grupi hetimor i ngritur për hetimin e kësaj ngjarje të rëndë i kryesuar nga prokurori i rrethit Pukë, ka konkluduar se shkak i këtij aksidenti ka qenë humbja e kontrollit gjatë drejtimit të mjetit nga ana e drejtuesit të tij, Zef Frroku (Gjergji). Policia është në pritje të deklarimeve që do të japin të mbijetuarit e kësaj tragjedie, të cilët priten të merren në pyetje pas përmirësimit të gjendjes së tyre shëndetësore. Dëshmitarët që ndodheshin në autobus por edhe verifikimi që është bërë në rrugë në pjesën ku autobusi ka dalë jashtë saj, kanë konfirmuar se në momentin e aksidentit drejtuesi i mjetit kishte kryer një manovër të fortë frenimi. Gjurmët e këtij frenimi janë gjetur në 4-5 metra sipërfaqe të rrugës ku duket qartë se është tentuar ndalimi i autobusit por nuk është kryer drejtimi i tij në të djathtë nga duhej të vazhdonte lëvizja në rrugë.
I mituri 4-vjeçar mes të plagosurve
Mirseli i vogël 4 vjeç nuk e di se ka humbur të dy prindërit dhe motrën në tragjedinë e dy ditëve më parë. Ai dhe vëllai 3 vjet më i madh Armando tashmë e kanë kaluar rrezikun për jetën, ndërkohë motra e tyre ndodhet duke u kuruar në repartin e Reanimacionit të Spitalit Ushtarak. 4- vjeçari ndodhej dje në shoqërinë e disa të afërmeve të tij, njëri prej të cilëve punonjës i spitalit të Pukës. Shëndeti i tij është përmirësuar ndjeshëm, ndërsa i dallohen nëpër trup dhe fytyrë vetëm disa gërvishtje. Kurse i vëllai, Armandoja ka frakturë në njërin krah. Paraditen e djeshme dy të miturit u vizituan nga Presidenti Bamir Topi, i cili u uroi shërim sa më të shpejtë.
Flet Gjon Marku nga Spitali Ushtarak, humbi gruan dhe djalin
I mbijetuari i tragjedisë: Tentoi
të frenonte 5 metra para greminës
TIRANE - Gjon Marku, 42 vjeç nga Mamurrasi dhe vajza e tij 9- vjeçare Albiola janë dy të mbijetuarit e tragjedisë së Fushë-Arrësit.
Si u ndodhët në autobusin e tragjedisë?
Udhëtoja me bashkëshorten time Alma Marku, dhe dy fëmijët tanë, Albiola, vajza 9 vjeç dhe djalin Arsel 5 vjeç e gjysmë. Ne hipëm në autobus në Laç dhe udhëtonim drejt Fushë-Arrësit.
çfarë mban mend nga tragjedia?
Rreth 20 minuta më parë, autobusi ndaloi te një lokal i braktisur në Rrasë. Aty ka mbetur vetëm çezma e lokalit dhe pasagjerët zbritën të gjithë për të pirë ujë. Pasi qëndruam pak minuta dhe u freskuam aty, hipëm sërish në autobus. Mjeti u nis dhe mbaj mend që pasagjerët ishin ulur sipas familjeve dhe disa bënin muhabet, disa flinin dhe të tjerë dëgjonin muzikë apo shihnin nga dritaret. Duhet të kenë qenë 4-5 metrat e fundit, buzë greminës kur dëgjova zhurmën e frenave të autobusit. Mjeti lëvizi drejt për nga humnera. Zhurmë e rrëmujë kam fiksuar momentet e fundit. Pastaj nuk mbaj mend asgjë, vetëm kur u zgjova këtu në spital. Unë dhe bashkëshortja ishim ulur në sedilje me fëmijët tanë.
Kush ndodhet tjetër nga familja juaj këtu në spital?
Unë dhe vajza ime, Albiola. Fatkeqësisht gruaja dhe djali më vdiqën. Janë varrosur sot. Vajza nuk di gjë. Unë jam pak më mirë. Kam vetëm pak dëmtime të jashtme dhe shumë hemorragji të brendshme. Mjekët më kanë vendosur këto tuba që heqin gjakun që kam nëpër trup. Vajza siç e shihni është në gjendje më të rëndë, ka shumë plagë nëpër trup dhe thyerje të kafkës. është i vetmi njeri që më ka mbetur nga familja ime. Kjo qe një fatkeqësi e madhe dhe për më tepër nuk e dimë se cili qe shkaku i vërtetë.
Kishte nisur të binte shi në momentin që ndodhi aksidenti?
Jo, aspak. Në malet rreth e rrotull kishte re të shumta dhe rrufe, por aty ku ishim ne nuk kishte asgjë të tillë. Shiu ndoshta ka filluar më vonë. Koha ishte e vrenjtur në momentet e fundit.
Dhjetë të plagosur pa rrezik, 2 fëmijë në gjende kritike
TIRANE – Me përjashtim të dy personave të plagosur nga aksidenti i Gjegjanit, dhjetë të tjerët janë jashtë rrezikut për jetën. Personat e plagosur që ndodheshin në spitalin e Shkodrës, pritej të dilnin dje nga kontrolli i mjekëve ndërkohë edhe tetë të plagosur në Spitalin Ushtarak, konsiderohen në gjendje jashtë rrezikut. Dy persona të plagosur, që mbahen nën kujdesin e mjekëve në Spitalin Ushtarak janë në gjendje më të rëndë si pasojë e dëmtimeve që kanë pësuar në aksident. Sipas mjekëve është fjala për një djalë dhe një vajzë 8 dhe 9 vjeç. Njëri prej këtyre fëmijëve është në gjendje të rëndë pasi ndodhet në koma cerebrale ndërsa tjetri ka pësuar dëmtime të mëdha fizike megjithëse është përmendur dhe i vetëdijshëm. Mjekët deri mbrëmë në orët e vona kanë pritur me shpresë daljen nga koma të vajzës e cila nuk ka dhënë shenja përmirësimi.
Mbingarkesa
Më shumë viktima nëse s’do zbrisnin
Nga dëshmitë më të fundit rezulton se në autobus kishte pasur mbingarkesë të pasagjerëve në autobusin me 25 vende. Kjo dhe për shkak të hipje-zbritjeve përgjatë zonave të ndryshme. Pak minuta para se të ndodhte aksidenti, kanë zbritur në qendër të komunës dhe fshatin Gjegjan 15 pasagjerë të tjerë, banorë të fshatit. Sapo ka dalë nga fshati, në drejtim të fshatit Gojan, pa bërë as 2 km autobusi është përmbysur. Nëse përmbysja do të kishte ndodhur me të gjithë pasagjerët me siguri që pasojat e kësaj tragjedie do të ishin edhe më të mëdha.