Buxheti, sot debat në Kuvend
Sot në Kuvend do të diskutohen në parim ndryshimet në Buxhetin e Shtetit, që kanë të bëjnë me shkurtimin e shpenzimeve deri në 20 për qind. Deputetët e majtë e të djathtë do të debatojnë për këtë rishikim të buxhetit. Opozita është shprehur kundër në parim ndaj këtij rishikimi buxheti duke deklaruar se Qeveria duhet të pranojë krizën ekonomike. Nga ana e saj maxhoranca është shprehur se këto ndryshime në buxhet po bëhen për të frenuar një krizë të mundshme të ekonomisë. Ky debat bëhet për të miratuar në parim buxhetin, i cili më pas do të kalojë edhe njëherë në komisione parlamentare. Deputetët e opozitës kanë kërkuar seanca dëgjimore me 16 institucione të vendit për ti pyetur në lidhje me shkurtimet në buxhet. Institucione si Presidenca, Ministria e Drejtësisë, Zyra e Buxhetit të Gjyqësorit, KLD-ja, Gjykata Kushtetuese, Shkolla e Magjistraturës, Prokuroria, Avokati i Popullit, Ministria e Brendshme të vijnë në një seancë dëgjimore në komisionin e ligjeve dhe të shprehin pretendimet e tyre për shkurtimin e fondeve në buxhet. Mëse 10 deputetë të opozitës kanë kërkuar të vijnë titullarët e institucioneve të pavarura, për të raportuar për shkurtimet në buxhet. Por kërkesa e opozitës është pranuar pjesërisht. Raportime do të ketë edhe në komisione të tjera parlamentare. Në komisionin e Sigurisë do të raportojnë Ministria e Brendshme si dhe ajo e Mbrojtjes. Këto ministri do të raportojnë nëse shkurtimet në buxhet prekin sigurinë kombëtare të vendit.