Shoferi i pazareveNga Selvije Bajrami, Gazeta “Express”Agim Ahmeti është shoferi i kryetarit të Gjykatës së qarkut në Prishtinë, Anton Nokaj. Ky njeri, i cili pohon se është lidhja më e mirë me Nokajn, ka mundur të hapë rrugë për në Gjykatë. “Express
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Shoferi i pazareveNga Selvije Bajrami, Gazeta “Express”Agim Ahmeti është shoferi i kryetarit të Gjykatës së qarkut në Prishtinë, Anton Nokaj. Ky njeri, i cili pohon se është lidhja më e mirë me Nokajn, ka mundur të hapë rrugë për në Gjykatë. “Express” ka siguruar një video dëshmi, në të cilën Agim Ahmeti negocion kthimin e 60 mijë eurove që ua kishte marrë disa personave, por të cilëve nuk u kishte kryer punë. Kjo dëshmi skandaloze implikon edhe vetë Anton Nokajn.
Në provat dhe dokumentet që posedon “Express”, Anton Nokaj bashkë me shoferin e tij, Agim Ahmeti, duket të jetë i përfshirë në pazarllëqe të mëdha. Ai premtonte nxjerrjen e vendimeve gjyqësore sipas porosisë së klientit, respektivisht kundrejt pagesës së bërë nga ana e vetë klientit.
“Në gjykatë kryhen punët në dy mënyra, ja me të njohur, ja me pará”, - pohon Agim Ahmeti në bisedë me disa persona.
Kjo bisedë është e filmuar. Në pikë të natës, Ahmeti bën pazare dhe mundohet t’u justifikohet personave që kanë dhënë pará për kryerjen e një pune në gjykatë e paratë nuk u janë kthyer. Gjatë një ore të qëndrimit të tij në një lokal në njërin nga qytetet e Kosovës, ai mundohet të justifikohet, ndërsa veten e prezanton si personin kryesor që mund të kryejë punë në Gjykatën e qarkut në Prishtinë.
Jo vetëm si një punëtor i thjeshtë, që në fakt ka qenë shofer, por Agim Ahmeti te personat e tjerë jashtë gjykatës është paraqitur si njëri me nam, gjithnjë duke përmendur kryetarin e gjykatës, Anton Nokaj.
“Lidhje ma të fortë se unë për Anton Nokajn nuk ka...”, - thotë Agim Ahmeti në incizimin që e posedon “Express”.
Incizimi mendohet të jetë bërë tetë muaj pas marrjes së një shume të majme parash nga ana e Agim Ahmetit. Ky i fundit u kishte premtuar disa personave që do t’u kryente punë në gjykatë, në rast se ata do t’i jepnin 60 mijë euro pará hua për biznes dhe në emër të Anton Nokajt. Meqë nuk kishte kryer punë, ata kishin kërkuar që t’u kthehen të hollat. Ahmeti ua kishte kthyer herëpashere 40 mijë eurot, jo në vlerë monetare, por të kompensuara në material ndërtimor në vlerë të atyre parave. Gjatë incizimit kuptohet se edhe materialin ndërtimor të kthyer në shenjë borxhi e ka marrë te dy firma të ndryshme, te njëra beton e te tjetra blloqe dhe krejt kjo në formë kompensimi për kryerjen e punëve në gjykatë. Agimi në këtë takim zotohet se ai dhe kryetari Anton Nokaj kanë persona që kryejnë punë edhe në Gjykatën Supreme të Kosovës.
“Atje ia çojmë landën një gjyqtarit që e njohim edhe kryhet puna”, - thotë më tej ai, duke përmendur edhe emrin e kryetarit të Shoqatës së Gjyqtarëve të Kosovës, Ymer Huruglicës si lidhje të tyre. Po ashtu, edhe Huruglica është nën hetime.
“Unë sot fola me Ymerin edhe ai më tha që kryhet puna”, - thotë më tej Agimi.
Tërë ky incizim është në fazën e transkriptimit, ndërsa do t’i dërgohet kryeprokurorit të EULEX, Thoe Jakobs, dhe aty me dy kushte.
Kushti i parë është që këtë rast ta hetojë prokuroria e EULEX, për shkak se të dëmtuarit nuk kanë besim te vendorët, duke u bazuar në ndikimin që ka Anton Nokaj. Kushti i dytë ndërkaq është që t’u ofrohet imunitet të dëmtuarve të këtij rasti. Konform ligjit, personat që ofrojnë ryshfet duhen të arrestohen, mirëpo personat në këtë rast kanë kërkuar imunitet në kompensim të zbardhjes së një pjese të abuzimeve që bëhen në gjykatat tona.
Me gjithë përpjekjet e “Express”, Anton Nokaj ka zgjedhur të mos hapë telefonin. Ndonëse në pushim vjetor, ai vazhdon të jetë përditë në Gjykatën e qarkut në Prishtinë e jo në shtëpinë e tij, materialin e së cilës dyshohet se e ka marrë te persona të ndryshëm në kompensim të zgjidhjes së çështjeve gjyqësore.
Anton Nokaj mban pozitën e kryetarit të gjykatës vitet e fundit. Nga kjo gjykatë në Kosovën e pasluftës janë pezulluar katër gjyqtarë për shkak të shkeljeve të ndryshme ligjore. Një nga gjyqtarët, Ekrem Agushi, ndërkaq është i akuzuar nga Prokuroria e Prizrenit. Një tjetër gjyqtar i Gjykatës së qarkut në Prishtinë ka dhënë dorëheqjen, për shkak se nuk e ka kaluar testin e etikës në kuadër të procesit të riemërimit. Edhe tre punëtorë të tjerë të Gjykatës janë pezulluar nga Gjykata e qarkut në Prishtinë, që nga koha kur këtë gjykatë e udhëheq Anton Nokaj. Ndonëse nën hetime, Nokaj vazhdon punën në gjykatë. Ai nuk e ka komoditetin e deritashëm, për shkak se më 17 gusht i është paraburgosur shoferi Agim Ahmeti, pasi ka kërcënuar me armë gruan e tij. Për këtë arsye, policia e ka bastisur shtëpinë dhe veturën zyrtare që ka ngarë Agim Ahmeti. Këtë veturë në fakt në shumicën e kohës e nget vetë Nokaj. Në të policia nuk ka gjetur armë, por, sipas burimeve të “Express”, janë gjetur gjashtë toner për printer, tre nga ta të zbrazët e tre të plotë. Askush në Gjykatë nuk ka shpjegim se për çfarë i janë nevojitur.
Për Agim Ahmetin kjo nuk është hera e parë që arrestohet. Kryeprokurori i Prokurorisë komunale në Prishtinë konfirmoi për “Express” se Agim Ahmeti qe arrestuar, për shkak se nuk e kishte lëshuar një pronë që ishte privatizuar. Ahmeti, sipas Lumezit, nuk e kishte lëshuar një pronë, me arsyetimin se “jam shofer i Anton Nokajt dhe nuk ka kush çka më bën”.
Prokuroria nuk ka të dhëna më shumë rreth këtij arrestimi, duke u arsyetuar me faktin se Ahmeti është liruar sa ka qenë në polici dhe si e tillë lënda nuk ka ardhur në Prokurori komunale.
Por, as policia në data-bazën e saj nuk ka të dhëna, nëse Ahmeti është arrestuar më herët.
Sido që të jetë, ai është në paraburgim të caktuar deri më 17 shtator të këtij viti, derisa për shefin e tij, Anton Nokajn, policia është duke grumbulluar informata nga shumë pista hetimesh.