E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoferi ndalon kamionin për tu çlodhur në rrugë, i grabiten 20 milionë lekë

ELBASAN – Grabitet një kamion në aksin Elbasan-Librazhd. Burime nga policia bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, kur 3 persona kanë hyrë me forcë në kamionin me targa DR8727E, dhe kanë marrë rreth 20 milionë lekë të vjetra që ndodheshin në makinë. 

Në momentin e ngjarjes shoferi e kishte parkuar mjetin anës rrugës, ndërsa vetë kishte hyrë në një bar, për të konsumuar një kafe.

Pak orë pas ngjarjes, policia arriti të identifikojë grabitësit dhe bëri të mundur arrestimin e dy prej tyre, ndërsa shpalli në kërkim të tretin. Mësohet se të arrestuarit janë Kledio Muçollari dhe Andi Çibuku, të dy nga qyteti i Durrësit.

Identiteti i grabitësit të tretë nuk bëhet ende i ditur, ndërkohë që policia po punon për kapjen e tij.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›