E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shuhet atentatori i Adolf Hitlerit

Baroni Filip von Boeselager, i mbijetuari i fundit nga grupi i oficerëve komplotistë, të cilët organizuan një atentat të dështuar kundër Hitlerit më 20 korrik 1944, vdiq në moshën 90-vjeçare në qytetin perëndimor gjerman Altenahr, bënë të ditur të afërmit e tij. Bashkë me vëllain e tij, Georg von Boeselager, ai mori pjesë në atentatin më spektakolar kundër diktatorit, në të cilin u përfshinë 200 persona. Operacioni "Valkyri", sipas kodit të një plani zyrtar të regjimit nazist për raste trazirash, u përgatit nga disa oficerë të "Wehrmacht"-it, ushtria e rregullt gjermane në kohën e nazizmit dhe kishte për qëllim eliminimin e Hitlerit, për shkak të mizorive raciste. Sipas planit, Klaus Schenk von Staufenberg, duhej të vendoste një bombë në vendin ku do të mbante konferencë Hitleri, në lagjen kryesore të Prusisë Lindore (Polonia e sotme), ndërsa aleatët e tij duhej të përfitonin nga konfuzioni i përgjithshëm për të kryer një puç ushtarak në Berlin. Filip von Boeselager kishte për detyrë të fshihte bombën poshtë krevatit të tij dhe ditën e atentatit të udhëhiqte 1200 persona të regjimentit të tij të këmbësorisë në Berlin për të arrestuar shefin e esesëve, Hainrih Himler dhe ministrin e Propagandës, Jozef Gëbels. "Pas dy ditësh pune të sforcuar më erdhi mesazhi ‘gjithçka si më parë‘ dhe ky ishte kodi i dështimit të planit, Hitleri i shpëtoi shpërthimit", tha baroni gjatë një interviste në vitin 2004. Derisa mbaroi lufta, oficeri mbajti me vete një dozë helmi për ta përdorur në rast se arrestohej, gjë që nuk ndodhi asnjëherë, ndërsa pjesa më e madhe e oficerëve të tjerë komplotistë në atentatin e përgatitur u ekzekutuan ose vranë veten.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›