Shokohet Milani, Interi nis shkëputjen finale
PARMA- Interi është shkëputur me 4 pikë në krye të Serisë A, pas fitores së arritur mbrëmë kundër Livornos në "San Siro". Zikaltërit kanë përfituar nga humbja e Milanit në "Tardini", duke rifituar sërish qetësinë përsa i përket betejës për titullin kampion. Ndeshja e mbrëmshme ndaj Livornos, skuadrës së fundit në renditje, është zgjidhur nga dy golat e Samuel Eto në fundin e pjesës së parë, ndërkohë që Maikon shënoi një tjetër në pjesën e dytë. Ndërsa Interi triumfonte 3-0, Milani u mund 1-0 në "Tardini" nga Parma. Një gol i shënuar nga bullgari Valeri Bojinov në minutën e fundit ka bërë që kuqezinjtë të mbeten 4 pikë larg kreut. Ndërkohë, Roma ka vazhduar me serinë e rezultateve pozitive, duke mundur 2-0 në transfertë Bolonjën. Golat e De Rosit dhe Zhulio Baptistës kanë bërë që verdhekuqtë të ruajnë hapin e Interit dhe të barazohen me pikë me Milanin. Një fitore të rëndësishme arriti edhe Lacio, që mundi 2-0 Sienën në "Olimpiko". Në këtë mënyrë, bardhekaltërit shkëputen disi nga zona e ftohtë e renditjes, duke shkuar në 32 pikë. Xhenoa ndërkohë mori një pikë të artë ndaj Palermos, falë një barazimi në minutat e fundit.
(a.l/BalkanWeb)
(a.l/BalkanWeb)