E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoq. e Prokurorëve: Konkluzionet e raportit të Min.së Drejtësisë, të pavërteta

Shoqata Kombëtare e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë ka reaguar ndaj akuzave të lëshuara në drejtim të tyre nga Ministria e Drejtësisë. Në një deklaratë për shtyp Shoqata Kombëtare e Prokurorëve përgenjështron dhe hedh poshte si të pavërteta, konkluzionet e raportit të Ministrisë së Drejtësisë të publikuar në media, veçanërisht ato të botuara në shtypin e datës 20.03.2012. Sipas tyre shkeljet e pretenduara nga Ministria e Drejtesise nuk qëndrojnë.
 

“Ato janë tendencioze dhe kanë si qëllim të vetëm të denigrojnë punën e prokurorëve dhe t`i demotivojnë në përmbushjen e funksioneve të tyre ligjore.Për vitin 2011 organi i prokurorisë, në rang republike ka përfunduar 27.472 çështje, nga të cilat 19.684 procedime dhe 7.788 mosfillime procedimi. Ministria e Drejtësisë ka ushtruar kontroll vetëm për 653 procedime penale dhe mosfillime të cilat zenë rreth 2,4% të numrit të përgjithshëm të çështjeve të përfunduara. Nga 653 çështje të kontrolluara, Ministria e Drejtësisë, ka pretenduar se janë kryer shkelje në 77 çështje penale, ose në rreth 12% të çështjeve të kontrolluara. Pra, në raport me numrin e përgjithshëm të çështjeve të përfunduara gjatë vitit 2011, ato të pretenduara me shkelje, sipas raportit të Ministrisë së Drejtësisë, zënë vetëm 0,28% të numrit të përgjithshëm të çështjeve të përfunduara.Vetëm po t`u referohemi shifrave të mësipërme del se konkluzionet e Ministrisë së Drejtësisë nuk i përgjigjen realitetit dhe janë jo objektive dheshumica e shkeljeve të pretenduara nuk qëndrojnë. Madje, edhe ato që qëndrojnë, në shumicën e rasteve janë të karakterit formal dhe nuk kanë ndikuar në mënyrën e zgjidhjes ligjore të çështjeve. Për rrjedhojë, rekomandimet e Ministrisë së Drejtësisë, që kërkon marrjen e masave disiplinore për 59 prokurorë duke pretenduar se kanë kryer shkelje në 77 procedime, shkelje të cilat në pjesën dërrmuese të rasteve nuk qëndrojnë, janë absurde dhe të papranueshme” –thuhet në deklaratë.
 

Më tej Shoqata Kombëtare e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë thekson se Ministria e Drejtësisë në ushtrimin e kontrolleve të kryera në Prokurori ka shkelur hapur parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve, duke nxjerrë përfundime mbi mënyrën e zgjidhjes së çështjeve, çka del jashtë objektit të kontrollit të përcaktuar në nenin 56 të ligjit nr. 8737, datë 12.02.2001, "Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar.
 

“Sipas Kushtetutes dhe ligjit, vendimet e prokurorëve kontrollohen vetëm nga gjykata dhe prokurorët më të lartë, por jo nga pushteti ekzekutiv.Është për tu theksuar se Ministria e Drejtësisë nuk ka përmbushur as detyrimin ligjor për të përcjellë në institucionin e Prokurorisë rekomandimet vjetore të Këshillit të Ministrave për luftën kundër kriminalitetit për vitin 2011, gjë që do të përbënte objektin parësor të kontrollit”përfundon deklarata.

Pavarësisht kësaj Shoqata e Prokurorëve u bën thirrje të gjithë prokurorëve të kryejnë detyrën me perkushtim dhe profesionalizëm të lartë, në përputhje të plotë me Kushtetutën e ligjin, dhe pa u ndikuar nga presionet e cilitdo qoftë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›