Kryeprokurorja-Werner: Me rëndësi pavarësia e institucioneve

Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama zhvilloi sot një takim me Drejtorin e Evropës në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Hollandës, Jacques Luis Werner, i cili ndodhet në një vizitë në Shqipëri në krye të një delegacioni të Ministrisë së jashtme hollandeze.
Në këtë takim të veçantë, ku u diskutua në lidhje me çështjet e drejtësisë dhe zbatueshmërinë e ligjit në Shqipëri, biseda u fokusua në rëndësinë e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë dhe rolit të tyre në forcimin e shtetit të së drejtës.
Kryeprokurorja Ina Rama, pasi bëri një pasqyrë të punës dhe të objektivave kryesore të institucionit të akuzës, trajtoi si çështje të veçantë dhe problematikat me të cilat ndeshen organet e drejtësisë dhe veçanërisht Prokuroria në kryerjen e detyrave të tyre, e parë kjo edhe në kuadër të zhvillimeve aktuale.
Nga ana e tij, Jacques Luis Werner, vlerësoi performancën e Prokurorisë Shqiptare si një nga hallkat e rëndësishme në ruajtjen dhe zbatimin e ligjit, por dhe në rolin poziviv që ka luajtur ky institucion për imazhin e Shqipërisë në rrugëtimin e proceseve integruese drejt BE-së.
Werner vlerësoi gjithashtu përkushtimin e prokurorisë në përmbushjen e misionit të saj kushtetues duke theksuar se në një vend demokratik ku sundon shteti i së drejtës, është e rëndësishme që secili institucion duhet dhe e ka për detyrë të punojë në mënyrë të pavarur, bazuar në ligj dhe jashtë çdo ndërhyrjeje.
Mbi këtë bazë, Drejtori i Evropës në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Hollandës, Jacques Luis Werner, shprehu mbështetjen e tij për Prokurorinë Shqiptare dhe punën profesionale të kryer prej saj si dhe vlerësoi bashkëpunimin midis instutucioneve të akuzës të dy vendeve.