Shoqata “EMIGRANTI” feston pavarësinë në Brooklyn
Rreth 400 emigrantë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, festuan mbrëmjen e së premtes Ditën e Flamurit, në përvjetorin e 96-të të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në një lokal nën organizimin e shoqatës "Emigranti" në Brooklyn në Nju Jork (SHBA). Festa u çel me himnin e flamurit Amerikan, e më pas të ngritur në këmbë, me dorë në zemër kënduan bashkarisht edhe himnin shqiptar "Rreth flamurit të bashkuar" në festën që zgjati për më shumë se 5 orë, ku këngëtarët shqiptarë Merita Halili, Morena Reka, Maja e ardhur nga Shqipëria si dhe Edi Duro me grupin e tij "Alba", kënduan këngë patriotike dhe nga të gjitha trevat e shqiptarëve, kërxyen valle bashkë me grupin e Valleve të Kosovës, recituan poezi nga Ndre Mjeda, etj. Gjatë një prononcimi këngëtari shqiptar Edi Duro shprehu përshtypjet për këtë festë të madhe që pritet me padurim nga shqiptarët. “Kam pesë vjet që jetoj në Amerikë dhe më bën përshtypje se si himni i flamurit Amerikan dhe ai shqiptar respektohen shumë nga të ftuarit, që i këndojnë në këmbë dhe me dorë në zemër. Ndjen kënaqësi të madhe kur shikon bashkëatdhetarët që falenderojnë popullin amerikan, me të cilët prej vitesh bashkjetojnë". Prej shumë vitesh pjesëmarrës me grupin "Alba" Edi Duro merr pjesë në koncertet e organizuara për ditën e Flamurit dhe vëren me kënaqësi se marrëdhëniet me qytetarët amerikanë janë të shkëlqyera, por dhe mes vetë shqiptarëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. “Ne jemi të bashkuar me njëri-tjetrin, por dhe integrimin me popullin amerikan e shoh me sy shumë të mirë. Ne falenderojmë amerikanët të cilët na japin mundësi të flasim gjuhën tonë, dhe na respektojnë njësoj sikur të jemi edhe ne si ata. Shteti na jep shanset tamam si qytetarë amerikanë dhe e quaj veten me fat që jam këtu", përfundon këngëtari Edi Duro, që 5 vjet më parë ka punuar si regjizor në një televizon kombëtar të Shqipërisë. Dita e Flamurit u festua edhe në qytete të tjera si në Neë Jersey, Konektikat, Boston, etj, ku shqiptarët e mbledhur së bashku përkujtuan me festime të ndryshme 96-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Shoqata të shumta shqiptarësh në SHBA prej shumë vitesh mblidhen dhe përkujtojnë Ditën e Flamurit dhe nderojnë patriotët shqiptarë, që shpallën Pavarësinë e Shqipërisë në 28 Nëntor, 1912 në Vlorë....