Kryeministri Berisha: Shqiptarët festojnë sot më të lirë se kurrë në të gjithë historinë e tyre

Kryeministri Berisha u shpreh se “ditëlindja e kombit është dita e mirënjohjes së pakufishme dhe e përuljes me nderimin më të thellë ndaj atyre që vendosën jetën e tyre në themelet e lirisë dhe pavarësisë që ne gëzojmë’
Kryeministri Sali Berisha nderoi sot kujtimin dhe veprën e martirëve të kombit dhe gjithë patriotëve shqiptarë, me rastin e 28 nëntorit. Pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar, Kryeministri vendosi një kurorë lule dhe bëri homazhe pranë Memorialit “Nënë Shqipëri”, në Varrezat e Dëshmorëve.
Pas homazheve, Kryeministri Berisha u shpreh se “para së gjithash ditëlindja e kombit është dita e mirënjohjes së pakufishme, e përuljes me nderimin më të thellë ndaj atyre që vendosën jetën e tyre në themelet e lirisë dhe pavarësisë që ne gëzojmë”
Kryeministri Berisha e cilësoi 28 nëntorin si ditën e krenarisë së madhe kombëtare, duke theksuar se “pa këtë ditë kombi dhe qytetarët e tij nuk do të mund të ngrinin kokën lart, ndaj kjo është një ditë e vizionit të madh, sepse një komb i lirë, siç është sot kombi shqiptar, i ka të gjitha shanset dhe mundësitë që të ndërtojë të ardhmen që meriton”.
Kryeministri Berisha theksoi se “ne e festojmë këtë ditë të pavarësisë edhe të çlirimit më mirë se kurrë, në tërë ekzistencën tonë, sepse ne festojmë këtë ditë me Kosovën e pavarur dhe në prag të zhvillimeve të mëdha historike, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Pra, ne festojmë dhe kremtojmë më të lirë se kurrë në të gjithë historinë tonë”.
Më këtë rast, Kryeministri Berisha shprehu nderimin e tij më të thellë ndaj të gjithë atyre që ranë për liri dhe dinjitet kombëtar dhe njerëzor dhe bënë të mundur këtë ditë. “Dua të shpreh nderimin tim më të thellë për familjet e tyre, të cilët në beteja dhe përpjekjet e lirisë humben njerëzit e tyre më të dashur, por jeta e tyre u bë dritë e lirisë për kombin dhe u shndërrua në ardhmëri të vërtetë për të”, u shpreh Kryeministri.
Më pas, Kryeministri Berisha vizitoi shtëpinë e Dëshmorit të Demokracisë, Azem Hajdari. Gjatë vizitës në familjen Hajdari, Kryeministri Berisha u shpreh “ në këtë ditë Azem Hajdari shndrin më shumë se çdo ditë tjetër dhe më shumë se asnjëherë”.
Kryeministri Berisha zhvilloi një vizitë dhe në familjen e dëshmores Ramize Gjebrea në shenjë nderimi dhe respekti për figurën dhe veprën e saj heroike. “Kjo është një ditë mirënjohje e madhe ndaj atyre që kanë sakrifikuar, sepse pa sakrificën e tyre ne nuk do të mund të ngrinim kokën lart. Por, ju e keni të dyfishtë këtë ditë sepse Ramize Gjebrea ishte flamurtarja e demonstratës së parë fashiste dhe më pas saj luftoi me një trimëri dhe vetëmohim të pashoq”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Në ceremoninë zyrtare me rastin e 28 nëntorit, ishin të pranishëm Presidenti z.Bamir Topi, Kryetarja e Kuvendit znj.Jozefina Topalli, Ministri i Mbrojtjes z.Gazmend Oketa, etj..
...