E shtunë tragjike për Durrësin, aksidentohen për vdekje dy qytetarë

Vdekje të frikshme kanë pësuar dy qytetarë të pafajshëm në Durrës pasi një person i dehur, i ka shtypur me makinë duke i marrë jetën krejt papritur.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr 15 Porto Romano të qytetit bregdetar dhe për të është arrestuar një i dyshuar.
Arben Meta, 43 vjeç, lindur dhe banues në lagjen nr 16 në Durrës, është i arrestuari i ngjarjes së ndodhur në Porto Romano.
Sipas hetimit dhe dëshmive në vendngjarje, 43-vjeçari, duke drejtuar mjetin e tij tip “Opel” me targë BR 380329, në gjendje të dehur ka aksidentuar 6-vjeçarin L.Bajrami dhe 83-vjeçaren Hava Kurti, që të dy banues në lagjen 15, të cilët dyshohet se i kanë prerë rrugën për të kaluar nga njëri kah në tjetrin.
Si pasoje e plagëve të marra që të dy kanë gjetur vdekjen pa arritur në spitalin Rajonal të qytetit.
Policia konstatoi se i dyshuari i aksidentit, veç faktit që ishte i dehur, nuk disponon as dëshmi aftësie për drejtim mjeti.
Policia tha se materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale të “Shkeljes së rregullave të Qarkullimit Rrugor” dhe “Drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe pa dëshmi aftësie”.
...