INTERVISTA-Flet Këshilltari i kryeministrit Berisha për konominë: Raporti i BERZH për rritje ekonomike pozitiv

Petraq Milo: Pse Shqipëria do të ketë të njëjtën rritje ekonomike edhe në 2009
Elementët e garancisë: Plani buxhetor 2009, ulja e deficitit buxhetor (ku shteti sot merr shumë më pak borxh se më përpara), inflacioni i ulët, sistem bankar të qëndrueshëm dhe sektor privat solid. Vetësiguria e investitorëve privat reflektohet dhe në një element tjetër që është politik, anëtarësimi ynë në NATO në procesin e tij përfundimtar, dhe vazhdimësia e hapave për anëtarësimin në BE
Shqipëria në vitin 2008 shënoi një rritje ekonomike të lartë e vlerësuar kjo jo vetëm nga qeveria shqiptare dhe Banka e Shqipërisë si edhe organizmat ndërkombëtare financiare si FMN, BERZH etj. Qeveria shqiptare ka shpallur sërish si parashikim të saj një rritje prej 6% edhe për vitin 2009, mirëpo raporti më i fundit i BERZH vlerëson se për vitin 2008 Shqipëria ka pasur një rritje ekonomike 6.1%. Po ti referohemi këtij raporti duket se sërish Shqipëria edhe për vitin e ardhshëm do të ketë një rritje ekonomike të lartë dhe sipas raportit për vendin tonë do të jetë më e madhe se sa në vendet e tjera të rajonit. Këshilltari Ekonomik i Kryeministrit Berisha flet raportin e BERZH dhe jep argumentet përse është shpallur sërish si objektiv parashikimi nga qeveria shqiptare i një rritje të qëndrueshme ekonomike në kufijtë e këtij vitit që po lëmë. Ja si shprehet me tej ai.
Zoti Milo, Shqipëria këtë vit ka arritur objektivin e saj të rritjes ekonomike prej 6%, kjo e vlerësuar edhe nga organizmat ndërkombëtare që monitorojnë. BERZH ka pasur disa raporte për Shqipërinë sa i përket rritjes ekonomike ku në të fundit thuhet se për vitin 2008 rritja ekonomike e Shqipërisë do jetë 6.1%, ndërsa për vitin 2009 kjo rritje ekonomike do të jetë 5%.?
Ajo që është parë është rifillimi i një debati për rritjen ekonomike duke bërë atë lojë fjalësh të vazhdueshme dhe lozur më shifrat 4 apo 5 duke bërë krahasueshmërinë. Në raportin e fundit të BERZH-it do të vija theksin në radhë të parë tendencën me të cilën BERZH krahason Shqipërinë me vendet e tjera. Po ta shikojmë me kujdes BERZH ka dhënë një mendim për rritjen ekonomike për vitn 2009 në të cilën ka disa skenarë. Të tre skenarët për vitin 2009 janë optimistë. Skenari i parë është 6% i fundit 5% dhe krahasuar me vendet e tjera Shqipëria mbetet më lart. Në gjithë këtë debat të rritjes ekonomike një element i përbashkët i parashikimit tonë është që përsëri rritja ekonomike mbetet e lartë dhe e dyta është dukshëm e distancuar nga vendet e tjera te rajonit. Kjo është në radhë të parë tendenca që vazhdon të jetë pozitive dhe nuk është se qeveria ka qenë euforike në parashikim e rritjes ekonomike prej 6%. Të gjithë elementët të çojnë në faktin që në parashikimin tonë ka disa arsye në të cilat ne kemi mbështetur këtë rritje ekonomike.
Si do ti komentoni rekomandimet e BERZH dhe të G 20?
Sa i përket rekomandimeve të BERZH por edhe te G20 ose në rekomandimet e një nga lidërve të BERZH Peter Sanfei në radhë të parë thekson që Shqipëria po vazhdon të bëjë progres të vazhdueshëm në një numër të konsiderueshme drejtimesh. Ai rekomandon që kjo rritje ekonomike pozitive dhe e lartë mund të mbahet duke vazhduar reformat në përmirësimin e klimës të biznesit dhe mbështetjen e financimit të infrastrukturës. Po ta analizonim këtë lloj rekomandimi themi se nga qeveria Berisha që në 2005 theksi ka qenë në dy drejtime kryesore pa harruar elementë të tjerë të luftës kundër korrupsionit elementë të tjerë të përmirësimit të kontrolleve etj,; në radhë të parë përmirësimi i klimës së biznesit ka qenë dhe vazhdon të jetë prioritet në programin e qeverisë si dhe një politikë fiskale e përgjysmuar ndër më të ulëtat në rajon në drejtim të detyrimeve fiskale. Mund të përmendim heqjen e licencave, heqjen e disa tatimeve, krijimin e formave elektronike si atë të deklarimit online, heqja e barrierave të tjera administrative. Është e gjithë kjo tërësi e programit që ka ecur dhe vazhdojmë të themi që do ta përmirësojmë akoma më shumë klimën e biznesit dhe do të marrim masat më tej për të ulur barrën fiskale. Rekomandimi i dytë thotë që Shqipëria duhet të vazhdojë të ketë ritme të larta në investimet kryesisht në infrastrukturën rrugore. Nëse do të analizojmë programin apo çfarë qeveria parashikon, vazhdojmë të ruajmë norma të larta në investimet publike vitet e fundit rreth 100 miliard për çdo vit, norma të cilat janë 3-4 herë më lart se të mëparshmet që kanë qenë 25-30 miliard. Siç shihet kemi një politikë fiskale e cila ka kaluar direkt në mbështetjen e infrastrukturës rrugore. Ky lloj investimi mund të them që është rekomandim i domosdoshëm për vetë faktin se efekti i kësaj infrastrukture janë të lidhura jo vetëm me rritjen ekonomike të një periudhe të shkurtër por edhe për një periudhë afatgjatë. Një rekomandim tjetër i G20
(zakonisht rekomandimet konvergojnë me atë program që qeveritë duhet të hartojnë për rritjen ekonomike dhe rritjen e prodhimit të tyre duke e shoqëruar me një politikë të uljes së barrës fiskale) është pikërisht kjo politikë që ka filluar që në vitin 2005 e cila edhe për 2009 mbyll kuadrin e një politike fiskale të reduktuar dhe duke vazhduar që nga 1 maji uljen e masës së kontributeve të sigurimeve shoqërore në 15%.
Pavarësisht se e pakontestuar nga askush, më shumë për lexuesit, a mund të na argumentoni me fakte ku mbështetet rritja ekonomike për këtë vit në kufijtë e 6%?
Është e vërtetë që kjo shifër ka mbetur e pakomentuar dhe e njëjtë edhe nga institucionet ndërkombëtare. Statistikisht është deklaruar dhe po bëhet verifikimi për rikonfirmimin e saj një rritje prej 11% në tremujorin e parë dhe 12% në tremujorin e dytë. Jemi konfident pasi ka një lidhje organike ndërmjet çfarë raportohet për rritje ekonomike dhe zhvillimeve të degëve te ndryshme të ekonomisë në vitin 2008 si rrjedhim i investimeve të bëra në vitet e mëparshme. Konkretisht kemi një rritje në industrinë minerale për arsye se të gjithë jemi të ndërgjegjshëm dhe e dimë që konkretisht në bursë çmimet janë të favorshme për produktet minerale njëkohësisht kemi një rritje gati 48% të eksporteve ku pjesa kryesore e tyre është nga produktet minerale. Pra rivlerësimi i eksporteve rritja e prodhimit industrial në 2008 është një nga elementët bazë ku mbështetet kjo rritje ekonomike në tremujorin e parë dhe të dytë. Rritje tjetër kemi edhe në degë që nuk kanë tradicionale në rritjen ekonomike të cilat kanë një rritje për 13% dhe një rritje ekonomike prej 16-17% tremujorin e parë dhe të dytë në tregti, hotele dhe restorante. Pra pjesa e shërbimeve të kësaj kategorie ka rritje 12, 13 dhe 10% për faktin se ka një rritje të këtyre shërbimeve si dhe kemi një rritje të turizmit. Ka një rritje të prezencës së huaj në kuptimin qoftë të pjesëmarrjes, qoftë të detyrimeve të Shqipërisë për të kooperuar, anëtarësimet etj, e cila është shprehur në rritje më të madhe të këtyre shërbimeve. Një degë tjetër e cila është rritur në vitin 2008 nga investimet e viteve te mëparshme është ajo e shërbimeve. Ka një rritje prej 14% në tremujorin e parë dhe të dytë sikurse kemi një rritje të shërbimeve të konsulencës për faktin se ka më shumë prezencë të investimeve të huaja që është element i dukshëm. Kemi një rritje të shërbimeve bankare për faktin e blerjes së aseteve të bankave lokale private nga banka të huaja të një niveli botëror si Intesa Sanpaolo, Raiffeisen dhe banka të tjera të cilat jo vetëm kanë rritur volumin e transaksioneve falë dhe mbështetjes së qeverisë por kanë rritur edhe numrin e produkteve të cilat janë shprehur në rritje të aktivitetit te tyre. Kemi edhe sektorë të tjerë të shërbimeve si p.sh sigurimet të cilat kanë volume në aktivitetin e tyre që është i dukshëm. Një element tjetër i cili është shprehur në këto degë e konkretizuar janë industria, ndërtimi shërbime dhe investimet e huaja të cilat kanë një rritje në vitin 2008 të cilat kanë mbështetur pikërisht këto lloj aktivitetesh që kanë pasur rritje ekonomike në vitin 2008.
Pavarësisht krizës financiare globale, qeveria ka shpallur si parashikim të saj sërish një rritje ekonomike prej 6%. Siç u theksua edhe me lart, BERZH mendon se kjo rritje do të jetë 5% sërish jo e vogël dhe me e madhe se sa vendet e rajonit nëse mendon se kriza do të ketë qoftë dhe indirekt ndikim në vendin tone: Ku e mbështesni këtë rritje të qëndrueshëm ekonomike?
Në qoftë se Shqipëria ka një rritje ekonomike pozitive duhet të theksojmë që në radhë të parë kemi një rritje dhe në raportin e BERZH flitet për një rritje prej 5% përsëri ku 5% mbetet më i lartë se vendet e rajonit. Shqipëria parashikon 6% kjo është një çështje parashikimesh por nuk do të ndalem në lojën e shifrave 5 apo 6. Ne mendojmë që është 6. Ku e mbështesim ne vazhdimësinë e kësaj rritje? Në radhë të parë mbështetet në planin buxhetor i cili nuk është as pesimist, nuk mund të jetë euforik është një program real. Ka në radhë të parë mekanizma të rezervës të cilat e sigurojnë buxhetin nga ndonjë krizë apo element të krizës që mund të veprojnë. Buxheti nuk është se ul peshën e tij në ekonomi përkundrazi vazhdon me një ritëm investimesh gati 100 miliard edhe për vitin 2009. Ky është elementi i parë pozitiv kuptohet i mbështetur në të ardhura. Është elementi kryesor dhe themi se buxheti është një nga furnizuesit kryesor të ekonomisë me investime, punësim etj. E dyta është ulja e deficitit buxhetor. Një program realist i të ardhurave i cili ka shmangur korrupsionin etj, ka arritur të mbledhë shumë herë më shumë se një periudhë më parë ka siguruar elementin më kryesor uljen e deficitit buxhetor. Shqiptarët duhet ta dinë që shteti shqiptar merr më pak borxh se sa më përpara. Të marrësh borxh më pak do të thotë ti lësh më shumë hapësira kredimarrësve pjesës tjetër e cila është sektori privat. Ky është elementi i dytë nga i cili nuk shkojmë në një situatë të rritjes përkundrazi kemi vazhdimësi në rritje dhe defiçiti buxhetor është një defiçit shumë realist dhe optimal krahasuar me vendet e tjera. Politika e tretë që është politikë fiskale monetare. Ne vazhdojmë të kemi inflacion të kontrolluar prej 3 % ndërkohë që vendet e tjera e kanë shumë herë më të lartë dhe ky inflacion garanton një farë sigurie për investitorët e brendshëm por dhe të huaj. Ky element bën që mos të ketë një stepje në realizimin e investimeve. Parë në këto 3 aspekte dhe në aspektin e rritjes së fuqisë blerëse që e realizon buxheti duke rritur pagat dhe mënyrat e tjera të realizimit të pagesave ky është një buxhet që mbështet rritjen ekonomike. Pjesa tjetër e rritje ekonomike është pjesa e sektorit privat që përbëhet nga sektori i brendshëm dhe i jashtëm. Kemi një sistem bankar të qëndrueshëm e cila është pjesë e raporteve për të cilën nuk ka arritur këtë konkluzion vetëm qeveria shqiptare por edhe institucionet ndërkombëtare. Pra ky sistem është i aftë të vazhdojë të financojë sektorin e brendshëm ose sektorin privat. Nuk do të ketë ngërç përderisa sistemi është solid nga pikëpamja e likuiditeteve. Ne kemi një sistem bankar likuid të siguruar nuk kemi pse të mendojmë që sistemi bankar nuk do të jetë në gjendje të kreditojë ekonominë. Element tjetër është vetë sektori privat dhe sjellja e tij vitin 2009. Investitorët privat kanë hyrë në investime të mëdha dhe janë në fazën e marrjes së fryteve të tyre në industrinë minerale, në industrinë e materialeve të ndërtimit, në industrinë energjetike, të infrastrukturës, tregun bankar, dhe atë të sigurimeve njëkohësisht edhe investimet në bujqësi dhe agrobujqësi. Në aspektin e sigurisë politika e parë qeverisëse në drejtim të klimës së biznesit në drejtim të politikës fiskale, politikës bankare, kontrolli i inflacionit etj ofron siguri për vazhdimësinë e investimeve të tyre. Vetësiguria e tyre reflektohet dhe në një element tjetër që është politik, anëtarësimi ynë në NATO në procesin e tij përfundimtar, dhe vazhdimësia e hapave për anëtarësimin në BE. Garancia e këtyre elementëve bën atë që ne mendojmë që investitorët vazhdojnë të kenë interes sidomos në ato sektor të cilat janë interesant dhe të rëndësishëm flasim për zgjerimin e porteve, i aktivitetit të shërbimeve, prodhimi i energjisë, i cili është një nga elementët bazë të kërkesës rajonale, rritja e industrisë minerale dhe investimet e kryera vitet e mëparshme që do të konkretizohen vitin që vjen krijojnë një klimë pozitive në këtë drejtim njëkohësisht flasim dhe për zhvillimin e sektorit agrobujqësor. Investimet e para në këtë sektor janë kryer qoftë në drejtim të pemëtarisë qoftë në prodhime të tjera bujqësore. Janë pikërisht këto trende dhe ky interes për Shqipërinë për të cilat ne mendojmë që intensiteti i financimeve dhe investimeve të huaja do vazhdojë edhe vitin e ardhshëm.
...