E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoqata e Bankave: Ja pse duhet ekzekutuar kolaterali

08/06/2011  Pasaktësitë e regjistrimit të pasurive vështirësojnë procesin e sekuestrimit

Sekuestrimi i pronave që individët apo kompanitë kanë lënë peng për marrjen e një kredie në bankë është një proces i ligjshëm. Shoqata e Bankave në Shqipëri ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar së fundmi mes Bankës Raiffeisen dhe “Birrës Norga”, duke theksuar se ekzekutimi i kolateralit është një proces që ndihmon ruajtjen e sistemit bankar dhe zhvillon një ekonomi konkurruese. Duke renditur disa nga faktorët pse duhet ekzekutuar kolaterali, apo ndryshe sekuestrimi i pasurive të lëna peng, Shoqata e Bankave rendit disa nga vështirësitë me të cilat po përballet ky sistem.

Pse duhet ekzekutimi

Sistemi është i tillë që të gjitha bankat futen në procesin e ekzekutimit të kolateralit, pasi kanë përdorur mënyrat e tjera për mbledhjen e huave. Bankat janë në treg për të kredituar ekonominë, mbështetur bizneset dhe individët, por kjo është një marrëdhënie reciproke. Ato duhet të mbrojnë gjithashtu paratë e depozitarëve të tyre. “Pavarësisht se si mund të perceptohet nga këndvështrimi i huamarrësit në vështirësi, një proces efektiv i ekzekutimit të detyrueshëm i kolateralit përshpejton rikuperimin ekonomik, duke korrigjuar çmimet e aktiveve. Si i tillë, duhet të mbështetet nga të gjitha palët e interesuara”, - thekson në deklaratën e saj Shoqata e Bankave.

Vështirësitë

Kohët e fundit bankat kanë hasur shumë vështirësi për ekzekutimin e detyrueshëm të kolateralit. Sipas Shoqatës së Bankave, një pjesë e vështirësive lidhen me proceset gjyqësore dhe vendimet e gjykatave për pezullimin e veprimeve përmbarimore, që çojnë në vonesa dhe pengim të procedurave. Këto procedura u mundësojnë huamarrësve shmangien dhe vonesa në shlyerjen e detyrimeve financiare ndaj bankave. “Pengesa të tjera lidhen me pasaktësitë në sistemin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe mangësitë e informacionit në dosjet përkatëse të pasurive, që shfaqen në momentin e ekzekutimit të kolateralit dhe e bëjnë këtë të fundit një proces shumë të vështirë ose të pamundur për bankat”, - theksojnë ekspertët. Proceset kështu zgjaten artificialisht duke ndikuar në përkeqësimin e marrëdhënieve financiare mes bankës dhe klientit. “Ndërkohë, kultivohet një mentalitet negativ: huamarrësit shpesh përqendrohen në gjetjen e mënyrave për të shmangur ekzekutimin e detyrueshëm të kolateralit në vend që të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë për shlyerjen e detyrimeve të tyre. Precedentë të tillë dëmtojnë rëndë veprimtarinë e bankave, duke vendosur në rrezik procesin dhe vazhdimësinë e shëndetshme të kreditimit, aq shumë të nevojshëm për zhvillimin ekonomik të vendit”, - përfundon deklarata. Ekzekutimi i kolateralit është kthyer në apelin kryesor të guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Në fakt, ritmi i rritjes së kredive të këqija, ka bërë të domosdoshme këtë praktikë.

DHTI: Duhet platformë

për rolin biznes-banka

Kryesia e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë diskutoi dje rastin e “Birrës Norga” dhe raportet e saj me Raiffiesen Bank. Kryetari Nikolin Jaka theksoi se DHTI-ja ka bërë rolin e arbitrit duke kërkuar që sipërmarrjet të jenë gjakftohta në gjykim ma akuzat dhe kundërakuzat mes palëve. Anëtarët e kryesisë theksuan se duhet të hartohet një platformë e qartë për rolin biznes-banka. Platforma do të hartohet nga ekspertët e Dhomës bazuar në eksperiencat e vendeve të tjera. Kjo platformë që do të shkojë për diskutim në Ministrinë e Financave, Bankën e Shqipërisë dhe Ministrinë e Ekonomisë, për të gjetur një zgjidhje afatgjatë dhe larg rrezikshmërisë aktuale. Ata cilësuan të rëndësishëm ndërtimin e një marrëdhënie të drejtë kredimarrje-kredidhënie, mbi bazën e të cilës do të hartohet dhe kjo strategji.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›