Shoqata e Siguruesve, 6 kërkesa për Tatimet
Tiranë, 21 janar NOA Shoqata e Siguruesve të
Shqipërisë, si përfaqësuese e industrisë shqiptare të sigurimeve - zhvilloi një
takim me përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve të kryesuar nga
Drejtori i Përgjithshëm, Artur Papajani ku u parashtruan 6 kërkesa që synojnë nxitjen e sigurimit të bizneseve.
Takimi synonte ngritjen dhe formësimin e një
bashkëpunimi sa më eficent dhe të bazuar në një vullnet të mirë institucional,
më qëllim thellimin e njohjes dhe të rolit të kësaj industrie ku institucionet
vendimmarrëse dhe ligjzbatuese të krijojnë një klimë të favorshme për
zhvillimin e kësaj industrie.
Shoqata e Siguruesve informoi z. Papajani me
stadin e zhvillimit të industrisë së sigurimeve në Shqipëri dhe specifikave që
mbart kjo industri si një nga tri shtyllat promotore të zhvillimit ekonomik
social të shoqërisë dhe shtetit shqiptar.
Gjithashtu, industria e sigurimeve i bëri
prezent z. Papajani edhe disa nga problematikat me të cilat ndeshet aktiviteti
i kësaj industrie.
Industria e sigurimeve në Shqipëri, është një
industri e re dhe si e tillë ajo kërkon domosdoshmërisht mbështetje dhe iniciativa,
politika orientuese dhe harmonizim legjislativ në përafrimin e impaktit të saj
drejt standardeve rajonale, evropiane dhe me gjerë.
Roli i saj i padiskutueshëm dhe i pranuar nga
organizmat publikë e shtetëror, në zhvillimin e ekonomisë dhe mbështetjes së
sistemit financiar në tërësi, janë arsye të qenësishme për të krijuar një klimë
reale zhvillimi dhe mirëkuptimi institucional ndaj
sfidave të zhvillimit të kësaj industrie.
Tregu shqiptar i sigurimeve është gjithashtu
një nga tregjet më të konsoliduara në rajon përsa i përket luftës ndaj informalitetit duke krijuar premisë të pakundërshtueshme për hapësira dhe lehtësira
zhvillimi të mëtejshëm:
80% e produkteve të sigurimit shiten online
që nga viti 2006. Kjo nismë është gjeneruar dhe investuar nga vetë industria.
Të gjitha produktet e sigurimit që ofrohen
aktualisht janë të miratuara dhe të kontrolluara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes
Financiare, institucion tek i cili raportohet online për shitjet e produkteve
motorike të detyrueshme dhe në mënyrë periodike për produktet e tjera.
Të gjitha transaksionet e aktivitetit të
sigurimeve kryhen nëpërmjet bankave të nivelit të dytë.
Tregu i sigurimeve ka adaptuar në
veprimtarinë e tij, standardet ndërkombëtare të kontabilitetit.
Tregu i sigurimeve auditohet nga kompani
audituese ndërkombëtare.
Tregu i Sigurimeve dhe Autoriteti i
Mbikëqyrjes Financiare kanë ngritur edhe regjistrin elektronik të dëmeve për sigurimet e
detyrueshme.
Kontratat e sigurimit të detyrueshëm janë
miratuar dhe njihen si fatura tatimore.
Në këtë situatë transparence maksimale të
zhvillimit të aktivitetit të tyre, industria e sigurimeve i bëri prezent z.
Papajani edhe disa nga problematikat me të cilat ndeshet aktiviteti i saj dhe kërkoi:
Përjashtimin e kompanive të sigurimeve nga
detyrimi për tu pajisur me kasa fiskale, si institucione financiare që ofrojnë shërbim
vetëm nëpërmjet rrjetit bankar,
njohjen si shpenzim të zbritshëm të
komisioneve bankare që kompanitë e sigurimit i paguajnë bankave për arkëtimin e primit të
sigurimit,
kreditimin e TVSH-së për shpenzimet e
industrisë për automjetet, duke i kategorizuar ato si mjete themelore në
ushtrimin normal të aktivitetit të tyre.
Njohjen si shpenzim të zbritshëm të
shpenzimeve të sigurimit të jetës apo të shëndetit të punëmarrësve.
Mosaplikimin e TVSH-së mbi komisionin e
shitjeve të produkteve të sigurimit të jetës,
produkte të cilat janë të përjashtuara nga
TVSH.
Konsiderimin gjatë kontrolleve të ushtruara
nga tatimet, të detyrimit ligjor për tu siguruar të klasave të veçanta të
biznesit të përcaktuara me ligj apo akte nënligjore.
***
Z. Papajani, në fjalën e tij e cilësoi
industrinë e sigurimeve si një nga kontributorët më të mëdhenj e dinjitozë në sistemin e të ardhurave
fiskale dhe së bashku me stafin që e shoqëronte u angazhuan për një trajtim
korrekt e eficent të problematikës së pozuar nga industria e sigurimeve.
Gjithashtu palët në takim, pasi e vlerësuan
maksimalisht qëllimin dhe rëndësinë e këtij takimi u angazhuan reciprokisht të
investohen për konsolidimin e një klimë bashkëpunuese dhe vullneti të mirë për
të realizuar më së miri objektivat e institucioneve që përfaqësojnë.
e.r/NOA